No menu items!

Krasniqi: Kushtetuesja i dha fund lojës së VV-së

Memli Krasniqi, kryetar i Partisë Demokratike të Kosovës, ka thënë se vendimi i Gjykatës Kushtetuese që obligon deputetët që seanca konstituive të përfundojë brenda 30 ditësh, “i jep fund lojës së Lëvizjes Vetëvendosje për vonesa”.

Të enjten, Kushtetuesja obligoi deputetët të zgjedhin kryetarin dhe nënkryetarët brenda 30 ditësh. Vendimi ka përplasur deputetët të Lëvizjes Vetëvendosje dhe ata të partive që deri tash ishin në opozitë për çështjen që lejohet apo jo të kalohet nga votimi i hapur në të fshehtë për këtë çështje. VV-ja e ka interpretuar se kjo çështje lejohet e opozitarët se jo.

“Gjykata Kushtetuese dha qartësi: zgjedhja e Kryetarit dhe nënkryetarëve të Kuvendit duhet të ndodhë brenda 30 ditëve. Siç kemi theksuar që në fillim, rendi i ditës i seancës konstituive nuk mund të ndryshohet sipas dëshirës dhe askush nuk ka të drejtë të imponojë votim të fshehtë pa bazë kushtetuese dhe pa procedurë të rregullt”, ka shkruar Krasniqi në Facebook. “Na vjen mirë që Gjykata Kushtetuese i dha fund kësaj loje të qëllimshme vonesash nga koalicioni VV-Guxo-Alternativa, duke e bërë të qartë se ata nuk kanë të drejtë ta bllokojnë procesin dhe se Kuvendi duhet të konstituohet brenda 30 ditëve”.

“Ky aktgjykim duhet të zbatohet menjëherë. Sa më shpejt, aq më mirë për vendin. PDK do të vazhdojë të jetë pjesë e zgjidhjes edhe më tej. Urojmë që edhe palët e tjera të veprojnë në të njëjtin frymë. Mjaft kohë është humbur – tani t’i japim epilog kësaj çështjeje!” ka shtuar Krasniqi.

Nga 15 prilli, deputetët e zgjedhur janë mbledhur çdo dy ditë për të dështuar në 37 herë për votimin e kryetarit dhe nënkryetarëve, që konsiderohen hapa final për konstituim të Kuvendit. Fillimisht Lëvizja Vetëvendosje, si parti fituese e zgjedhjeve të 9 shkurtit, propozoi emrin e Albulena Haxhiut dhe nuk e mori shumicën, e më pas kërkoi që të ndryshohet mënyra e votimit, duke kaluar në votim të fshehtë. Deri tash nuk ka marrë mbështetjen në këtë përpjekje. Partitë opozitare nuk kanë votuar fare e AAK-ja e pati çuar në Kushtetuese për shqyrtim pikërisht këtë propozim të VV-së

Të fundit

LEXONI GJITHASHTU

Raporto24
Përmbledhje e privatësisë

Kjo faqe përdor cookie në mënyrë që t'ju ofrojmë përvojën më të mirë të shfletimit. Informacioni i cookie-ve ruhet në shfletuesin tuaj dhe kryen funksione të tilla si t'ju njohë kur ktheheni në faqen tonë dhe ndihmon ekipin tonë të kuptojë se cilat pjesë të faqes ju duken më interesante dhe të dobishme.