Pas dështimit për të 33-tën herë në përpjekjen për konstituimin e Kuvendit të Kosovës, deputetët nga radhët e Partisë Demokratike të Kosovës kanë ngritur shqetësime serioze për pasojat që kjo situatë mund të ketë në raportet ndërkombëtare të vendit, veçanërisht me aleatët kryesorë si Shtetet e Bashkuara të Amerikës.
Deputeti i PDK-së, Memli Krasniqi ka theksuar se mungesa e institucioneve funksionale mund të dëmtojë rëndë pozicionin e Kosovës nëse paraqitet një mundësi për angazhim më aktiv në procesin e dialogut me Serbinë.
“Nëse në një moment të papritur, e që nuk mund ta parashikojmë, SHBA-të kërkojnë një qasje më proaktive nga ana e Kosovës për një marrëveshje potenciale me Serbinë, mungesa e institucioneve të konsoliduara do të jetë një pengesë serioze dhe do të dëmtojë drejtpërdrejt pozicionin tonë”, deklaroi Krasniqi para mediave, përcjell Telegrafi.
Krasniqi ka thënë se është i mirëseardhur fakti që presidenti Trump për herë të parë pas shumë kohe po e përmend Kosovën.
“Përkundër faktit që prioritet e diplomacisë dhe politikës jashtme amerikane ndërlidhen me konfliktet në vend, duke përfshirë atë Izrael-Iran dhe Rusi-Ukrainë dhe vatra tjera të krizës. E shoh pozitivisht faktin që Trump e përmend Kosovën dhe e sheh si temë që do të merret gjatë mandatit të tij”, tha Krasniqi.
Edhe deputetja tjetër e PDK-së, Vlora Çitaku, i ka bërë thirrje kryeministrit në detyrë, Albin Kurti, që të lërë mënjanë interesat personale dhe të punojë për tejkalimin e bllokadës politike.
“Është momenti i fundit që Lëvizja Vetëvendosje dhe Albin Kurti të reflektojnë. Bota po ndryshon çdo ditë në mënyrë dramatike, dhe Kosova nuk mund të lejojë të ngecë për shkak të egove personale. Kosova është më e madhe se çdo individ. Më vjen keq që jemi në një situatë që duket pa rrugëdalje”, theksoi Çitaku. /Telegrafi/