No menu items!

Krim i tmerrshëm në Gjermani, gazeta Bild shkruan se kosovari ka therur për vdekje gruan para djalit të tyre 7-vjeçar

Një ngjarje e rëndë ka tronditur qytetin München në Gjermani, ku një shtetas me origjinë nga Kosova dyshohet se e ka therur për vdekje gruan e tij, me të cilën ende ishte i martuar ligjërisht.

Sipas të përditshmes BILD, i dyshuari Samson K. (33) dyshohet se e ka sulmuar me më shumë se 5 goditje me thikë bashkëshorten Sabrina K. (31), në një sulm të tmerrshëm që ka ndodhur përpara syve të djalit të tyre 7-vjeçar.

Ngjarja ndodhi të martën, pasi Samson kishte tentuar të marrë vajzën 4-vjeçare nga kopshti, por personeli refuzoi ta lëshonte fëmijën dhe njoftoi nënën, e cila menjëherë shkoi dhe e mori. Sabrina më pas e dërgoi vajzën tek një shoqe që banon në të njëjtën ndërtesë dhe shkoi për ta marrë djalin nga shkolla, rreth 150 metra larg banesës.

Teksa kthehej me djalin drejt shtëpisë, Sabrina u prit nga burri i saj, i cili besohet se e goditi me thikë në prani të fëmijës. Viktima u rrëzua në tokë, e plagosur rëndë, ndërsa i dyshuari qëndroi aty, pranë saj, deri në arritjen e policisë.

Një dëshmitar arriti ta fotografojë të dyshuarin teksa qëndronte pranë trupit të bashkëshortes dhe fliste në telefon. Sipas dëshmitarëve, ai kishte deklaruar: “Ju nuk e dini çfarë më ka bërë ajo.”

Samson dhe Sabrina ishin të martuar prej disa vitesh dhe kishin dy fëmijë së bashku. Marrëdhënia e tyre ishte prej kohësh problematike, me përplasje të shpeshta. Sipas BILD, Samson K. ishte dënuar më parë me gjobë për dhunë në familje dhe shkelje të urdhrit të mbrojtjes.

Në janar të këtij viti, ai e kishte sulmuar fizikisht gruan, duke i dhënë një shuplakë dhe duke e tërhequr për flokësh – nga ku ajo kishte mbetur me buzën e poshtme të enjtur e me gjak, si dhe me gërvishtje në fytyrë. Pas kësaj ngjarjeje, me vendim të gjykatës, Samson-it iu ndalua t’i afrohej Sabrinës ose banesës së saj në një perimetër më të afërt se 100 metra – vendim që ai e kishte shkelur të paktën 4 herë.

Çfarë ndodhi me fëmijët?

Policia është kujdesur për të dy fëmijët pas ngjarjes. Një police e mori vajzën për dore dhe luajti me të në një park lojërash, ndërsa një tjetër oficer u përkujdes për djalin. Ende nuk është e qartë se çfarë do të ndodhë me fëmijët. Nëse nuk ka familjarë të afërt në Gjermani, ata do të vendosen përkohësisht në një strehimore për fëmijë.

Hetimet janë në vazhdim, ndërsa i dyshuari ndodhet në paraburgim.

Të fundit

LEXONI GJITHASHTU

Raporto24
Përmbledhje e privatësisë

Kjo faqe përdor cookie në mënyrë që t'ju ofrojmë përvojën më të mirë të shfletimit. Informacioni i cookie-ve ruhet në shfletuesin tuaj dhe kryen funksione të tilla si t'ju njohë kur ktheheni në faqen tonë dhe ndihmon ekipin tonë të kuptojë se cilat pjesë të faqes ju duken më interesante dhe të dobishme.