Kryeministri i Kosovës, Albin Kurti, mori pjesë mbrëmë në hapjen e ekspozitës fotografike “Dalja N’dritë” të fotografit të njohur Hazir Reka. Ekspozita sjell për publikun një përmbledhje fotografish që dokumentojnë disa nga momentet më të rëndësishme të historisë së afërt të Kosovës.

Kurti vlerësoi punën e fotografit Reka, duke theksuar rolin e tij në dokumentimin e ngjarjeve historike dhe në ruajtjen e kujtesës kolektive përmes fotografisë. Ai përmendi edhe simbolikën e datëlindjes së Rekës, 11 marsin e vitit 1981, datë që lidhet me protestat e atëhershme në Kosovë dhe kërkesën “Kosova Republikë”.
Sipas Kurtit, fotografitë e ekspozuara nuk paraqesin vetëm ngjarje historike, por ruajnë edhe portretet e njerëzve që qëndruan në mbrojtje të të drejtave, dinjitetit dhe barazisë.
Ekspozita fokusohet veçanërisht në vitet 1988 dhe 1989, duke sjellë pamje nga protestat qytetare dhe greva e minatorëve të Stantërgut në Trepçë në shkurt të vitit 1989, një prej momenteve më të rëndësishme të rezistencës së asaj periudhe.
“Dalja N’dritë” është një homazh për minatorët dhe të gjithë ata që kontribuuan në rrugën drejt lirisë dhe Republikës, si dhe një vlerësim për punën shumëvjeçare të fotografit Hazir Reka.
Ekspozita është e hapur për vizitorë çdo ditë, përveç të dielës, nga ora 11:00 deri në 18:00, deri më 4 korrik. Organizatorët ftojnë qytetarët ta vizitojnë dhe të njihen me fotografitë që pasqyrojnë momente të rëndësishme të historisë së Kosovës./Raporto24/



