No menu items!

Kryeministri Kurti bën homazhe te varret e heronjve të kombit Ilir Konushevci dhe Dr. Hazir Malaj

Kryeministri në detyrë i Republikës së Kosovës, Albin Kurti, bashkë me kolegë, ministra në detyrë e deputetë të Kuvendit, bënë sot homazhe te varret e heronjve të kombit Ilir Konushevci dhe Dr. Hazir Malaj në shënim të 27-vjetorit të vrasjes së tyre teksa po sjellnin armatim për Ushtrinë Çlirimtare të Kosovës.

“Ilir Konushevci – Mërgimi, ishte pasardhës i denjë i Zahir Pajazitit dhe ishte shpirti i Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës, meqenëse ishte në krye të logjistikës edhe furnizimit në një kohë të vështirë kur Ushtria Çlirimtare e Kosovës po përballej me një ushtri e cila ishte shumëfish më e pajisur me armatim e municion, mirëpo me vullnetin e çeliktë të luftëtarëve të paepur, si puna e Ilir Konushevcit – Mërgimit, edhe ajo që ishte e paimagjinueshme, bëhej e mundur.” tha kryeministri Kurti.

Në vijim, ai tha se Ushtria Çlirimtare e Kosovës jo vetëm që merrte pjesë në beteja, por ajo ngadhënjente aty, ndërsa Ilir Konushevci – Mërgimi e ka nisur veprimtarinë e tij shumë më herët, saktësisht me 13 maj të vitit 1992, atëherë kur u formua organizata e fshehtë politike Shqiponjat dhe prej asaj dite nuk u ndal asnjëherë në organizimin dhe shtimin e radhëve për Ushtrinë Çlirimtare të Kosovës.

Në fjalën e tij, kryeministri veçoi se pa njerëz si Iliri nuk do të mund ta kishim luftën çlirimtare, pa të cilën nuk mund të kishim as lirinë e shtetin që i gëzojmë sot.

“Andaj, homazhet tona që i bëjmë tek varret e dëshmorëve të martirëve gjatë kësaj pranvere e në veçanti sot tek Ilir Konushevci – Mërgimi dhe Dr. Hazir Malaj, shprehin mirënjohjen tonë të thellë, falënderimin e pafund për punën, kontributin, rolin dhe sakrificën e tyre, por, në të njëjtën kohë, shprehin edhe përkushtimin tonë qytetar, kombëtar, shoqëror e institucional që të vazhdojmë rrugën e tyre, e cila sot e ka kuptimin e një republike të pavarur, demokratike, me zhvillim e përparim që nuk lë askënd prapa e sidomos me furnizim të ushtrisë tonë, me forcim të Forcës së Sigurisë të Kosovës, ashtu që të kemi ushtri e cila i del zot atdheut, i del zot edhe republikës, edhe popullit të Kosovës.’’ u shpreh kryeministri.

Kryeministri e përfundoi fjalën e tij duke thënë se Ushtria e Kosovës sot është më e pajisur, më e madhe se kurdoherë më parë

“Prandaj, edhe me gëzim themi që krenaria jonë për Ilir Konushevcin e Hazir Malën është në të njëjtën kohë edhe realitet i ri, sepse Kosova anembanë posaçërisht rrotull kufirit me Serbinë ka më shumë forca se asnjëherë më parë dhe në këtë mënyrë brezi i rinisë dhe i fëmijëve sot dhe ata që do të vijnë pas nesh do të mund të punojnë, studiojnë edhe flenë të qetë, në mënyrë që asnjëherë të mos përsëritet çkado që mund t’i përngjajë agresionit të Serbisë në të kaluarën.”

Të fundit

LEXONI GJITHASHTU

Raporto24
Përmbledhje e privatësisë

Kjo faqe përdor cookie në mënyrë që t'ju ofrojmë përvojën më të mirë të shfletimit. Informacioni i cookie-ve ruhet në shfletuesin tuaj dhe kryen funksione të tilla si t'ju njohë kur ktheheni në faqen tonë dhe ndihmon ekipin tonë të kuptojë se cilat pjesë të faqes ju duken më interesante dhe të dobishme.