No menu items!

Kryeministri Kurti merr pjesë në shënimin e 26-vjetorit të Masakrës së Dubravës

E një muaj pas fillimit të fushatës së bombardimeve të NATO-s mbi Jugosllavi, gjatë fundit të muajit prill dhe fillimit të muajit majit, autoritetet okupatore serbe i grumbulluan të burgosurit dhe pengjet shqiptare nga burgjet e Kosovës dhe të Serbisë dhe i sollën këtu në burgun e Dubravës. Ky operacion i organizuar, tregon që masakra që do të pasonte në këtë burg, ishte planifikuar nga autoritetet më të larta shtetërore të Serbisë.

Pas kësaj, i burgosuri mbase më eminent, politikani dhe profesori i mirënjohur e i pazëvendësueshëm Ukshin Hoti, i cili po i vuante ditët e fundit të dënimit të tij prej 5 vitesh burgosje të shqiptuara në vitin 1994, u zhduk nga burgu i Dubravës, pasi që u inskenua lirimi i tij më 16 maj 1999, një ditë para se të përfundonte dënimi i tij më 17 maj. Ky lirim është i dëshmuar nga dëshmitarët dhe i dokumentuar nga dokumentet e kohës.

Tre ditë më vonë, më 19 maj 1999, filloi zbatimi i skenarit për vrasjen masive të të burgosurve shqiptarë. Forca policore serbe bashkë me gardianët e burgut dhe me disa nga të burgosurit më kriminalë serbë, do të shtinin me armë dhe bomba ndaj të burgosurve shqiptarë gjatë pesë ditëve në vijim. Kësisoj, më 24 maj 1999, nga rreth 980 të burgosur shqiptarë sa ishin grumbulluar në burgun e Dubravës, një u zhduk, pra Ukshin Hoti që edhe sot vazhdon të jetë mes të zhdukurve me dhunë; 117 të burgosur u vranë, kurse mbi 300 të tjerë u plagosën, prej tyre 185 rëndë.

Por zbulimi i Masakrës së Dubravës është zbulim edhe i kryerësve të kësaj masakre, i planifikuesve të skenarëve të saj, i urdhërdhënësve dhe i zbatuesve. Të 117 të vrarët në këtë burg, varret e tyre dhe mungesa e tyre mes nesh, janë dëshmia më e pamohueshme e këtij krimi shtetëror; shumica e të mbijetuarve të kësaj masakre janë gjallë dhe plot prej tyre janë sot këtu bashkë me neve e mes nesh, të cilët kanë dëshmuar dhe që mund të dëshmojnë këtë krim të kryer nga shteti i Serbisë; disa prej tyre kanë botuar libra me dëshmitë e tyre; shumë prej tyre kanë dhënë intervista, dokumente, fotografi, të tjera fotografi satelitore të vendeve të NATO-s po ashtu mund të shtohen si dëshmi të pakontestueshme të kohës për hetimin e skenarëve të këtij kapitulli kriminal të projekteve të Serbisë për spastrim etnik dhe gjenocid në Kosovë.

Ajo çfarë pritet të ndodhë dhe çfarë bëj thirrje përsëri, është që Prokuroria Speciale e Kosovës të fillojë zhvillimin e hetimeve për këtë masakër dhe inicimin e proceseve gjyqësore për të. Dhe nuk ka vend më të përshtatshëm për ta bërë ketë thirrje se sa pikërisht vendi ku ne jemi të fortë e të gjallë, por kurrë nuk i harrojmë ata që ishin edhe më të fortë se ne, por nuk janë më të gjallë sepse dora kriminale gjenocidale e Serbisë i pushkatoi në këtë fushë brenda oborrit të burgut.

Kriminelët e luftës, të çdo rangu dhe përgjegjësie, duhen hetuar dhe ndjekur penalisht, sepse krimet e luftës nuk vjetrohen, nuk harrohen dhe nuk falen. Asnjëherë, asnjëri prej tyre, në asnjërin rast.

Tash janë duke u bërë hetime e arrestime të kriminelëve serbë të luftës më shumë se kurrë më parë. Pothuajse nuk kalon java pa pasur ndonjë arrestim, mirëpo aq të mëdha janë krimet që i ka bërë Serbia, aq e gjerë është përmasa e tyre, aq e thellë është mizoria e tyre saqë edhe ky shpeshtim i arrestimeve nuk është mjaft, është pak.

Njëri nga të mbijetuarit e masakrës së Dubravës, Gjenerali i Forcës së Sigurisë së Kosovës dhe ish deputeti Enver Dugolli, e ka bërë kallëzimin penal edhe pranë Dhomave të Specializuara të Gjykatës Speciale, mirëpo edhe pas dy viteve nuk ka asnjë veprim lidhur me këtë pasi që paraprakisht është marrë përgjigjja se ato Dhoma të Specializuara nuk merren vetëm me njërën etni apo me njërin formacion, dhe dy vjet më vonë nuk kemi veprime në përputhje me kallëzimin penal të të mbijetuarit Enver Dugolli dhe gjithashtu nuk kemi veprime as të Prokurorisë e sistemit tonë të drejtësisë, ndërkohë që siç e dimë edhe po mplaken dëshmitarët, por në anën tjetër edhe natyrisht që me kalimin e kohës edhe zbehet kujtesa.

Andaj, është e domosdoshme që mbi dokumentacionin që e posedojmë dhe mbi dëshmitarët e gjallë që janë kaq të shumtë, të veprohet menjëherë, pa vonesa, sepse kushtet, mundësitë janë më të mëdha se kurrë më parë për një gjë të këtillë.

I përjetshëm qoftë kujtimi për të vrarët këtu në burgun e Dubravës! Mirënjohje e thellë dhe jetë të gjatë të gjithë të mbijetuarve të kësaj masakre! Lavdi të rënëve e ju faleminderit për pjesëmarrje e vëmendje!

Të fundit

LEXONI GJITHASHTU

Raporto24
Përmbledhje e privatësisë

Kjo faqe përdor cookie në mënyrë që t'ju ofrojmë përvojën më të mirë të shfletimit. Informacioni i cookie-ve ruhet në shfletuesin tuaj dhe kryen funksione të tilla si t'ju njohë kur ktheheni në faqen tonë dhe ndihmon ekipin tonë të kuptojë se cilat pjesë të faqes ju duken më interesante dhe të dobishme.