Znj. Xufë ka filluar me pesë punëtorë, e tash kanë mbërritur në 180 punëtorë e gjatë sezonës shkon deri në 350 punëtorë. Përveç kësaj është e rëndësishme të theksohet që materialet janë organike dhe të riciklueshme dhe gjithashtu lënda e parë merret në një version shumë rendimentar shumë primar në mënyrë që maksimumi i përpunimit të bëhet këtu brenda vendit.
I kanë gjithsejtë 143 lloje të produkteve, në dy kategori të mëdha të veshjeve të brendshme dhe të veshjeve sportive për të dy gjinitë dhe gjithashtu për të gjitha moshat. Tash kanë shtuar edhe pajisje automatike e elektronike të cilët e kanë rritur cilësinë dhe produktivitetin. Njëra prej tyre që patëm rastin ta shohim ishte rezultat i donacionit të Ministrisë së Industrisë, Ndërmarrësisë dhe Tregtisë së bashku me Bankën Botërore ndërkaq tjetra donacion i USAID-it, edhe i Mbretërisë së Suedisë.
I inkurajuam që sa më shumë t’i shfrytëzojnë masat e Qeverisë së Republikës së Kosovës edhe për mbështetje të punëtorëve por edhe të biznesit.
E falënderoj shumë znj. Xufë, Samiun dhe menaxheren e re, Jetën për këtë kontribut që po bëjnë edhe për popullsinë por edhe për shtetin meqenëse janë një ndër tre tatimpaguesit më të rregullt në vendin tonë. Pra më shumë punësim, më shumë prodhim, më shumë fitim e më shumë tatime.