Kamenicë, 13 qershor 2025 – Kryeministri në detyrë i Republikës së Kosovës, Albin Kurti, së bashku me kryetarin e Komunës së Kamenicës, Kadri Rahimaj, dhe deputeten e Kuvendit të Kosovës, Liza Gashi, vizitoi sot familjen e Arbnor Spahiut, polici i cili u arrestua më 7 qershor nga autoritetet serbe dhe po mbahet padrejtësisht në paraburgim.
Gjatë vizitës, Kryeministri Kurti informoi familjarët për përpjekjet e pandërprera të institucioneve të Kosovës për lirimin sa më të shpejtë të Spahiut. Ai theksoi se angazhimi institucional është maksimal dhe do të vazhdojë deri në kthimin e tij të sigurt në shtëpi.
Familjarët e Arbnor Spahiut u shprehën mirënjohës për vizitën dhe mbështetjen që po marrin nga institucionet e Republikës së Kosovës./Raporto24/