Kryetari i Komunës së Podujevës, Shpejtim Bulliqi, ka përkujtuar sot nëpërmjet një postimi në Facebook 26-vjetorin e rënies heroike të dëshmorëve Salih dhe Kadri Qerimi, babë e bir nga Katunishta.
“Në 26-vjetorin e rënies heroike të Salih dhe Kadri Qerimit, me përkulje dhe respekt të thellë kujtojmë sakrificën sublime të tyre për lirinë e Kosovës,” ka shkruar kryetari Bulliqi.
Ai theksoi se Salih dhe Kadri Qerimi u bënë simbol i qëndresës dhe guximit në ditët më të vështira për vendin, duke luftuar armikun pa frikë e me vetëflijim për çlirimin e atdheut.
“Sakrifica e tyre dhe e mijëra dëshmorëve e martirëve të Kosovës do të kujtohet e nderohet gjithmonë ndër breza,” përfundon mesazhi i Bulliqit, i cili e shoqëroi postimin me një fotografi arkivore të dëshmorëve.
Lavdi e përjetshme për Salih dhe Kadri Qerimin! Lavdi dëshmorëve të kombit!/Raporto24/