Kryetari i FFK-së, Agim Ademi, pret gjyqtaren Florentina Kallaba pas sukseseve në finalen historike të Kupës së Botës në futsall

Kryetari i Federatës së Futbollit të Kosovës, Agim Ademi, ka pritur sot në takim gjyqtaren Florentina Kallaba, e cila ishte pjesë e ekipit të gjyqtareve në finalen e parë historike të Kupës së Botës në futsall, të mbajtur së fundmi në Filipine.

Ky edicion shënoi për herë të parë organizimin e Kupës së Botës në futsall, duke hapur një kapitull të ri në këtë sport. Finalja ndërmjet Brazilit dhe Portugalisë, e zhvilluar para mbi 5 mijë shikuesve në “PhilSports Arena” në Manila, u drejtua nga një ekip gjyqtarësh nga katër kontinente, ndërsa pjesë e këtij ekipi ishte me shumë dinjitet edhe gjyqtarja kosovare, Florentina Kallaba.

Pjesëmarrja e Kallabës në një ngjarje të këtij niveli vlerësohet si dëshmi e profesionalizmit dhe përkushtimit të gjyqtareve dhe gjyqtarëve të Kosovës ndër vite. Po ashtu përbën një vlerësim të rëndësishëm që FIFA i bën FFK-së dhe sektorit të gjyqtarëve kosovarë.

Kryetari Ademi e përgëzoi Florentinën për nderin që i ka bërë Kosovës dhe për kontributin e saj të vazhdueshëm në ngritjen e standardeve të drejtësisë në futsall. Ai theksoi se Kallaba është një shembull frymëzues për të gjitha vajzat dhe djemtë që synojnë të zhvillojnë karrierë në këtë profesion fisnik.

“Falë njerëzve të përkushtuar si Florentina Kallaba, Kosova po vazhdon të jetë e pranishme dhe e respektuar në arenën ndërkombëtare,” u shpreh Ademi./Raporto24/

Të fundit

LEXONI GJITHASHTU