Reperi Feronit Shabani, i njohur me emrin artistik ‘Fero’, është akuzuar nga Prokuroria Themelore në Gjilan për tri vepra penal. Por, përveç tij tashmë në hetime është edhe Arbenita Ismajli.
Gazeta Insajderi, ka mësuar nga burimet se me datë 13.06.2025, Prokuroria Themelore në Gjilan, ka lëshuar një dokument ku konfirmohet nisja e hetimeve ndaj saj.
Për çka dyshohet Arbenita Ismajli?
Modelja e njohur dyshohet për mospërfillje të Gjykatës.
Siç merr vesh Insajderi, ajo me dashje nuk është bindur urdhrit apo vendimit të plotfuqishëm të Gjykatës.
Arbenita, nuk i’a ka mundësuar kontaktin me fëmijën, reperit Fero.
“Se nga data 19.03.2025, në Gjilan, e pandehura Arbenita Shabani Ismajli, me dashje nuk i është bindur urdhrit apo vendimit të plotfuqishëm të Gjykatës, në Republikën e Kosovës, respektivisht aktvendimit mbi pajtimin gjyqësor, përmes procesverbalit me numër C.nr.3508/2024, të datës 12.06.2024 ashtu që, e pandehura pasi që është njoftuar lidhur me revokimin e autorizimit nga i dëmtuari ish bashkëshorti i saj Feronit Shabani, me të cilin autorizim, të pandehurës i është lejuar nga ana e të dëmtuarit, që fëmijën e tyre Nina Shabani ta marrë me vete jashtë Republikës së Kosovës, e pandehura edhe pse në dijeni lidhur me revokimin e autorizimit, asnjëherë nga momenti i revokimit me datë 19.03.2025, nuk i’a ka mundësuar kontaktin me fëmijën të dëmtuarit si baba biologjik, duke vepruar në kundërshtim me aktvendimin e formës së prerë, në të cilin është përcaktuar kontakti me fëmijën dy herë në muaj, vikendin e parë dhe të tretë përmes Qendrës për Punë Sociale në Gjilan”, thuhet në dokumentin të cilin e ka parë Insajderi.
Prokurori i shtetit, pas vlerësimit të informatave, provave dhe materialeve të tërësishme të dorëzuara nga policia, ka ardhur në përfundim për të filluar hetimet në drejtim të veprës penale të lartshënuar.
Me datë 21.12.2024, prokurori për të mitur ka ngritur aktakuzë kundër Arbenita Ismajlit.