Akademik Rexhep Qosja u kujtua si një prej figurave më të rëndësishme të kombit shqiptar në një ligjëratë të organizuar me rastin e 90-vjetorit të lindjes së tij.
Në këtë veprimtari morën pjesë kryeministri në detyrë i Kosovës, Albin Kurti, ministri në detyrë i Kulturës, Rinisë dhe Sportit, Hajrulla Çeku, profesorë, intelektualë, studentë dhe familjarë.
Kryeministri në detyrë, Albin Kurti, tha se kultura shqiptare pa akademik Qosjen do të ishte më e varfër dhe pa një nga zërat më të guximshëm e më të thellë të mendimit kulturor e politik shqiptar.
“Për ta kuptuar peshën e vërtetë të një personaliteti si profesor Qosja, do të duhej të imagjinonim se si do të dukej letërsia, politika, publicistika dhe mendimi kulturor e artistik shqiptar pa figurën e tij. Kultura shqiptare nuk do të ishte vetëm më e varfër, por do të ishte pa njërën nga shtyllat e panteonit kulturor shqiptar të shekujve XX dhe XXI, pa njërin nga zërat më të qartë, më të guximshëm dhe më të thellë të mendimit kulturor e politik shqiptar”, tha Kurti.
Gjatë aktivitetit u lexua edhe testamenti që Qosja kishte hartuar më 30 prill 2016. Testamentin e lexoi aktori Avni Dalipi.
Në të, Qosja kishte kërkuar që për varrimin e tij të kujdesej nipi, duke theksuar se dëshironte të varrosej pa ritual fetar, pa prani zyrtare, pa fjalime, pa media dhe pa lule, vetëm në praninë e familjarëve dhe pranë varrit të bashkëshortes së tij, Shpresës.
“Meqenëse kam jetuar duke besuar në mendimin shkencor, në ngritjen shpirtërore dhe në përparimin shoqëror që e bën të mundshëm ai, dua të jem i varrosur pa ritual fetar. Varrimin tim dua ta bëjnë vetëm familjarët e mi. Ashtu siç kam jetuar thjeshtë, dua të jem edhe i varrosur: pa fjalime, pa media, pa lule, afër varrit të gruas sime Shpresës”, thuhej ndër të tjera në testament.
Në fund të testamentit, ai shprehej i bindur se jetën, krijimtarinë dhe veprimtarinë e tij politike ia kishte kushtuar lirisë, bashkimit dhe mirëqenies së popullit shqiptar.
Ndërkaq, shkrimtari dhe studiuesi Ag Apolloni e vlerësoi Qosjen si figurë unike të kombit shqiptar, duke kujtuar vlerësimet që personalitete të shumta vendore dhe ndërkombëtare kishin dhënë për veprën e tij.
“Jemi këtu për ta nderuar shkrimtarin Rexhep Qosja, këtë figurë unike të kombit shqiptar. Kritikët e huaj e kanë quajtur Volteri i Ballkanit dhe Kohës së Lindjes. Robert Elsie e konsideronte si njërin ndër kritikët më të mëdhenj të Ballkanit, ndërsa Ismail Kadare e quante shkrimtarin më të madh shqiptar që jetonte jashtë Shqipërisë shtetërore”, tha Apolloni.
Akademik Rexhep Qosja ndërroi jetë më 23 prill 2026./Raporto24/





