Kryeministri në detyrë i Kosovës, Albin Kurti, në një intervistë në emisionin Politiko në Kanal 10, ka deklaruar se Kosovës i nevojitet armatim pasi vendi përballet në vazhdimësi me provokime nga shteti fqinj, Serbia, e cila nuk e njeh ekzistencën e shtetit të Kosovës.
“Vazhdimisht ka provokime me drona, ushtri e xhandarmëri, [sepse] është një shtet që nuk ta njeh ekzistencën dhe rrjedhimisht ne duhet të forcohemi”, tha ai duke shtuar “kur ke fqinjin e keq, pushkën duhet me mbajt plot”.
Tutje, Kurti ka pretenduar se Qeveritë e mëhershme nuk kanë pas interesim për të ngritur ushtrinë, derisa ka shtuar se ndërkombëtarët është dashur të shohin qeveri të pastër për t’i besuar me armatim.
“Unë nuk kam pa në të kaluarën vullnet të fuqishëm që do t’i bënte partnerët ndërkombëtarë që të na përgjigjen. Partnerët ndërkombëtarë është dasht të shohin Kosovën që ka një qeveri më duar të pastra që e lufton korrupsionin para se të ta shesin armatimin”, tha ai.
“Kur Kosova është ngrit në rangime ndërkombëtare sa i përket rënies së korrupsionit, ata [partnerët ndërkombëtarë] kanë filluar me na shit armatim”, shtoi me tej Kurti.
Lidhur me planin për krijimin e xhandarmërisë, ai tha se ky formacion ka detyra që janë shumë për Policinë e pak për Ushtrinë.
“Për ta ruajtur infrastrukturën kritike, kanalin Ibër-Lepenc- policia nuk mjafton, ushtria nuk është pamje e mirë te kanali. Luftimi i terrorizmit, kontrabandës e rrugët e ilegale – për to xhandarmëria është më e mirë”, tha Kurti





