Kryeministri i Kosovës, Albin Kurti ka reaguar për dënimin e sotëm të Zoran Vukotiq për dhunë seksuale ndaj një gruaje shqiptare në Vushtrri.
Ai ka thënë sem mijëra gra e burra, vajza e djem kanë qenë viktima të këtij krimi. Ndërkaq dy dekada pas luftës, as edhe një person nuk është dënuar për një krim të tillë, transmeton “Indeksonline”
“Drejtësia është e domosdoshme, edhe në momente si ky kur vjen shumë vonë. Viktimat e dhunës seksuale kanë nevojë për drejtësi, por edhe për përkrahjen tonë shoqërore për të luftuar stigmën që i përcjellë”, ka shkruar ndër të tjera Kurti.
Postimi i plotë:
Dhuna seksuale gjatë viteve 1998 – 99 është përdorur si mjet lufte në vazhdimësi në Kosovë. Mijëra gra e burra, vajza e djem kanë qenë viktima të këtij krimi. Ndërkaq dy dekada pas luftës, as edhe një person nuk është dënuar për një krim të tillë.
Sot, pas 23 vitesh pandëshkueshmëri për krimin e dhunës seksuale, për herë të parë dënohet dikush. Zoran Vukotiqi është dënuar me 10 vite burgim për rastin e ushtrimit të dhunës seksuale ndaj një gruaje shqiptare në Vushtrri.
Drejtësia është e domosdoshme, edhe në momente si ky kur vjen shumë vonë. Viktimat e dhunës seksuale kanë nevojë për drejtësi, por edhe për përkrahjen tonë shoqërore për të luftuar stigmën që i përcjellë.
Krimet e luftës nuk parashkruhen, dhe nuk mund të kenë amnisti për këtë krim të kryer gjatë luftës në Kosovë, këtë armë lufte të përdorur nga okupatori.