Millan Radoiçiqi ka tjetër nam në Prishtinë, e tjetër në Beograd.
Autoritetet e Kosovës e përmendin si person në arrati, të sanksionuar nga Shtetet e Bashkuara dhe të akuzuar disa herë si kriminel.
Në Serbi ai është konsideruar “mbrojtës” i serbëve të Kosovës, madje edhe nga presidenti i këtij shteti, Aleksandar Vuçiq.
Millan Radioiçiq është nënkryetar i Listës Serbe – partisë më të madhe të serbëve të Kosovës – e cila gëzon mbështetjen e Beogradit zyrtar.
Më 26 shtator, ministri i Punëve të Brendshme i Kosovës, Xhelal Sveçla, e ka publikuar një video, ku pretendon se një burrë i veshur me uniformë dhe armë në duar, sikurse një grup burrash tjerë, është Radoiçiqi, i cili dyshohet se ka marrë pjesë në sulmet ndaj Policisë së Kosovës më 24 shtator në Banjskë.
Si pasojë e sulmeve është vrarë një zyrtar policor dhe tre sulmues.
Si është bërë i njohur emri i tij?
Radoiçiqi, 45-vjeçar, ka lindur në Gjakovë, qytet në jugperëndim të Kosovës.
Për organet e drejtësisë në Serbi, emri i tij është i njohur prej vitit 2011.
Në atë kohë, kundër tij dhe Zvonko Vesellinoviqit është ngritur aktakuzë në Beograd për përvetësimin e 32 kamionëve të firmës “Hipo Alpe Adria Lizing”.
Në atë periudhë ka nisur dialogu Kosovë – Serbi dhe të dy janë liruar nga akuzat në vitin 2016.
Radoiçiqi besohet se vazhdon punën në Serbi. Ai është bashkëpronar i kompanisë ndërtimore, INKOP nga Quprija – bashkë me vëllezërit Vesellinoviq – në të cilën ka 40 për qind të pronësisë.
INKOP-i ka blerë edhe kompanitë ndërtimore Novi Pazar – put dhe Betonjerka Aleksinac.
INKOP-i zotëron, po ashtu, kompaninë hoteliere DollyBell, e cila ka hotelin Grey në Kopaonik.
Veprimtaria e tij në Kosovë
Më 2017 ka qenë kryeministri i atëhershëm i Kosovës, Ramush Haradinaj, që e ka përmendur emrin e Radoiçiqit si njeri të fuqishëm në komunat në veri të banuara me shumicë serbe.
Haradinaj ka thënë se “[ai është] dikush nga veriu, i cili pyetet për gjithçka dhe unë bisedoj me të”.
Radioiçiqi është zgjedhur nënkryetar i Listës Serbe pak muaj pas vrasjes së politikanit serb nga Kosova, Oliver Ivanoviq, më 2018.
Emri i tij lidhet edhe me këtë vrasje, por epilog për këtë rast nuk ka ende.
Vetë ai e ka përshkruar akuzën e autoriteteve të Kosovës ndaj tij si tentim të Prishtinës për ta hequr qafe.
“… sepse e di se unë, së bashku me miqtë e mi dhe vëllezërit e mi, jemi ndër të paktët që mund t’i kundërshtojmë në synimin e tyre për të nëpërkëmbur dhe përvetësuar veriun e Kosovës dhe Metohisë dhe për të nënshtruar popullin serb”, ka thënë Radoiçiqi në atë kohë.
Urdhri për arrestimin e Radoiçiqit është tërhequr pa asnjë shpjegim në mars të vitit 2021 – mirëpo më vonë është kthyer prapë.
Rasti “Brezovica”
Katër vjet pas vrasjes së Ivanoviqit, në janar të vitit 2022, Radoiçiqi është shpallur sërish në kërkim nga autoritetet e Kosovës, nën dyshimet se ka ndikuar në frikësimin e dëshmitarëve në rastin e njohur si “Brezovica”.
Më shumë se 100 persona janë hetuar e dhjetëra të tjerë janë akuzuar për këtë rast që ka të bëjë me ndërtime pa leje, degradim të ambientit dhe marrje të ryshfetit.