Ministria e Punëve të Brendshme ka marrë vendim për ndalimin e rreptë të ndezjes së zjarreve në të gjitha ambientet e hapura, përfshirë djegien e mbeturinave, pyjeve, fushave, livadheve, ndezjet për rekreacion apo piknik, si dhe fishekzjarrët.
Lajmin e ka bërë të ditur ministri në detyrë i Punëve të Brendshme, Xhelal Sveçla, përmes një postimi në Facebook, ku thekson se:
> “Ndezja e zjarreve është vepër penale dhe shkelësit do të përballen menjëherë dhe pa dilemë me masat ndëshkuese që parasheh ligji.”
Vendimi vjen në kohën kur temperaturat e larta dhe thatësia e madhe kanë rritur ndjeshëm rrezikun për përhapjen e zjarreve në mjedis.
Ministri Sveçla u bën thirrje qytetarëve që të tregojnë kujdes maksimal dhe të respektojnë vendimin, duke shmangur çdo veprim që mund të shkaktojë zjarr.
Në rast se vëreni zjarr apo rrezik për shpërthim të tij, jeni të lutur të kontaktoni menjëherë shërbimin emergjent në 193 ose Policinë e Kosovës në 192./Raporto24/