Operacioni policor i koduar ‘Starti’, i zhvilluar Antidroga e Policisë së Kosovës, të martën në mbrëmje, rezultoi me goditjen e një grupi kriminal trafikantësh, ku u arrestuan katër persona dhe u sekuestruan mbi 25 kg marihuanë, raporton Gazeta Sinjali.
Të dyshuarit përfunduan nën masën e ndalimit policor dhe brenda aftit ligjor do të bëhet kërkesa për masën e paraburgimit.
Sinjali ka mësuar ekskluzivisht se personat që u kapën nga Antidroga janë: Liridon Krasniqi (45) , Burim Muharremi (43), Fitim Haxholli (33) dhe Milaim Krasniqi (45).
Pas veprimeve hetimore që janë ndërmarrë, është zbuluar se katër të dyshuarit kanë poseduar një sasi të konsiderueshme të marihuanës, të cilën kanë tentuar ta shesin në territorin e Republikës së Kosovës.
Gjatë kontrollit janë gjetur dhe sekuestruar: 27 paketime me peshë 25 kg 200 gr, një veturë, dy pushkë, dy revole, shtatë fishekë kalibrash të ndryshëm, gjashtë telefona dhe 350 euro.
Të dyshuarit janë intervistuar në prezencë të avokatit mbrojtës dhe ndaj tyre është iniciuar rasti ‘blerja, posedimi, shpërndarja dhe shitja e paautorizuar e narkotikëve substancave psikotrope dhe analoge’ dhe ‘mbajtja në pronësi, kontroll ose posedim të paautorizuar të armëve’.”
Shënim: Personat e apostrofuar në këtë artikull prezumohet i pafajshëm derisa fajësia e tij të mos provohet me vendim të formës së prerë nga gjykata.