Deputeti i AAK-së, Lahi Brahimaj, ka përkujtuar përmes një postimi në Facebook bashkëluftëtarët e rënë më 6 prill, duke veçuar figurën e Sadri Zenelit, të cilin e ka quajtur “baba të rezistencës”.
“Me nderim të thellë u përkulëm para veprës madhështore të babait të rezistencës, Sadri Zeneli, dhe bashkëluftëtarëve të tjerë që 6 prillin e shndërruan në një ditë të paharruar të historisë së lirisë,” ka shkruar Brahimaj.
Ai e ka përshkruar heroin Zeneli si “strateg dhe vizionar” që nga vitet e ’90-ta u bë shtylla kurrizore e rezistencës në Jabllanicë, duke frymëzuar një brez të tërë luftëtarësh të lirisë.
Brahimaj ka kujtuar me krenari e dhimbje edhe bashkëluftëtarët që ranë po atë ditë: Ali Rama, Ramë Mehmeti, Islam Ademaj, Lan Rexhaj, Bajrush Mehmeti, Arben Mehmeti, Fitim Rexha dhe Ukshin Hamza.
“Burra të pathyeshëm që dhanë shembullin se liria kërkon sakrificën sublime të atyre që guxojnë të ëndërrojnë për një të ardhme më të mirë,” ka shtuar ai.
Në fund të postimit, deputeti i AAK-së është zotuar se rruga drejt së ardhmes do të ndërtohet mbi idealet për të cilat dëshmorët dhanë jetën: “Lavdi e përjetshme dëshmorëve të kombit!”/Raporto24.com