Lëvizja Vetëvendosje do t’i merrte 49 për qind të votave, nëse zgjedhjet parlamentare do të mbaheshin sot. PDK-ja dhe LDK-ja rreth 16% apo dy herë më shumë sesa AAK-ja e Ramush Haradinajt, transmeton Paparaci.
Këto janë të dhënat që gazetari Berat Buzhala i ka nxjerr të dielën, sipas një sondazhi të publikuar së fundmi.
Në një video të publikuar në Facebook, Buzhala tregoi se një nga opozitarët i ka thënë atij se “LVV-ja sillet rreth 49 përqindëshit”.
“Sondazhi po thuhet se e ka qit LVV-në 49 për qind, është bërë ditëve të fundit. Qeshtu më tha i trishtueshëm dikush prej opozitës, tha ‘hej 49 për qind ish LVV-ja, LDK dhe PDK-ja diku 16% dhe AAK-ja te 8%”, thotë Buzhala në Facebook.
Buzhala bëri të ditur se i ka thënë opozitarit që nuk ia ka përmendur emrin, se këto rezultate janë skandaloze për Qeverinë Kurti dhe “jo për ju”.
“Unë i thashë ky është skandal për qeverinë jo për juve, qysh edhe pas kaq budallakinave populiste, ku për çdo ditë e bën një budallaki me policinë speciale, i turret veriut, amerikanëve dhe KFOR-it dhe megjithatë s’e ka as 50 për qind të mbështetjes a?”, shtoi ai.
Kjo përqindje, sipas Buzhalës, është dëshpëruese për kryeministrin Albin Kurti dhe lajm i keq për partinë e tij, Lëvizjen Vetëvendosje.
Buzhala pati kritika ndaj pushtetit për lëvizjet e fundit sa i përket situatës në komunat veriore.
Drejtori i Nacionales pati ankesa edhe ndaj qeveritarëve për qasjen dhe sjelljen ndaj gazetarëve dhe mediave, sidomos pasi ia hoqën licencën e biznesit televizionit “Klan Kosova”.
“Për mua pak befasuese, në shoqëri ku ka elektrizim të situatës, popullariteti i kryeministrit apo presidentit shkon te 70-80 për qind. Prandaj i thashë gjakftohtë se këto të dhëna janë dëshpëruese për Kurtin”, tha ai.