Kryetari i Komunës së Podujevës, Shpejtim Bulliqi, ka bërë të ditur një zhvillim të rëndësishëm për qytetarët e kësaj komune. Në bashkëpunim me zëvendësministrin e Infrastrukturës, Hysen Durmishi, është nënshkruar një memorandum bashkëpunimi për financimin e pesë projekteve të mëdha infrastrukturore në vlerë prej afro 5 milionë eurosh.
Sipas kryetarit Bulliqi, këto projekte do të ndikojnë drejtpërdrejt në përmirësimin e infrastrukturës rrugore dhe qasjes më të lehtë për qytetarët e Podujevës dhe fshatrave përreth.
Projektet që do të financohen përfshijnë:
Rikonstruimi dhe asfaltimi i rrugëve në qytet, përfshirë rrugët “Bahri Fazliu”, “Agron Rrahmani”, “Ali Ajeti”, “19 Qershori” dhe “Bedri Bajrami”, me gjatësi totale prej 1,770 metrash. Po ashtu, përfshihet ndërtimi i urës mbi lumin Llap, që lidh me rrugën nacionale N25 – Podujevë. Vlera e këtij projekti është 1,434,000 euro.
Ndërtimi i rrugës Orllan–Rakinicë dhe rrugës “Rubiku” në Orllan, me gjatësi 5,030 metra, si dhe ndërtimi i trotuarit te ura në Orllan, me gjatësi 300 metra. Ky projekt kap vlerën prej 983,400 euro.
Ndërtimi i rrugëve lidhëse Llugë–Bellopojë dhe Siboc–Dumosh, me gjatësi 2,600 metra, në vlerë prej 531,500 euro.
Ndërtimi i rrugëve në fshatrat Sylevicë dhe Tërrnavicë, me gjatësi 6 kilometra, në vlerë prej 774,000 euro.
Asfaltimi i rrugëve në 13 fshatra, përfshirë Bajçinë, Dobërdol, Pakashticë, Metehi, Dumnicë, Bellopojë, Brainë, Tërrnavë, Llapashticë, Gllamnik, Sfeçël, Dumosh dhe fshatra të tjera të rrethinës së Podujevës. Vlera e këtij projekti është 965,000 euro.
“Këto investime janë dëshmi e përkushtimit tonë për zhvillim të qëndrueshëm dhe përmirësim të jetës së qytetarëve”, deklaroi Bulliqi, duke shtuar se puna dhe projektet në shërbim të qytetarëve do të vazhdojnë me intensitet të lartë.Raporto24/