Grupi i Këshilltarëve të LDK-së në Kuvendin Komunal të Podujevës ka zhvilluar sot një aksion simbolik para objektit të Komunës dhe në sheshin e qytetit, duke reaguar ndaj gjendjes që e cilëson alarmante në menaxhimin e mbeturinave.
Përmes vendosjes së posterëve me fotografitë e zyrtarëve që i konsideron përgjegjës për situatën e krijuar, LDK ka kërkuar përgjegjësi institucionale dhe ndërmarrjen e masave urgjente për zgjidhjen e problemit.
Sipas këtij subjekti politik, për muaj të tërë janë ngritur shqetësime në Kuvendin Komunal dhe përmes reagimeve publike lidhur me gjendjen e Ndërmarrjes Publike “Pastrimi”, por, sipas tyre, kërkesat janë injoruar.
LDK vlerëson se qyteti i Podujevës dhe shumë fshatra të komunës po përballen me grumbullim të mbeturinave, ndërsa Ndërmarrja Publike “Pastrimi” ndodhet në prag të kolapsit financiar dhe funksional.
Në reagimin e saj, LDK ia atribuon këtë situatë keqmenaxhimit të pushtetit komunal, emërimeve politike në organet drejtuese të ndërmarrjes dhe punësimeve partiake.
Po ashtu, Grupi i Këshilltarëve ka shprehur shqetësim edhe për, siç thuhet, tentimet që shërbimi i grumbullimit të mbeturinave t’u kalohet operatorëve privatë pa procedura të rregullta ligjore dhe pa vendim të Kuvendit Komunal.

LDK ka kërkuar shkarkimin e Komisionit të Aksionarëve, marrjen e përgjegjësisë politike nga kryetari i Komunës dhe zyrtarët përgjegjës, ndërprerjen e veprimeve që cenojnë funksionimin e Ndërmarrjes Publike “Pastrimi”, si dhe hartimin e një plani urgjent për stabilizimin financiar dhe funksional të saj.
Sipas LDK-së, qytetarët e Podujevës meritojnë një mjedis të pastër, shërbime cilësore dhe institucione që mbrojnë interesin publik.






