Leclerc fiton kampionatin Grand Prix në F1

Charles Leclerc ka shënuar një fitore të jashtëzakonshme në garën dramatike të Çmimit të Madh të Britanisë, duke i dhuruar Ferrarit fitoren e tyre të 250-të në historinë e Formula 1.

Gara në Silverstone u mbyll nën rrethanat e makinës së sigurisë, e cila doli në pistë katër xhiro para fundit pas një aksidenti të Max Verstappen (Red Bull).

Ky fund jave doli të jetë një dëshpërim i madh për liderin e kampionatit dhe fituesin e “pole position”, Kimi Antonelli.

Piloti 19-vjeçar i Mercedesit po ndiqte me shpejtësi liderin Leclerc kur pësoi një problem me makinën, duke përfunduar i 16-ti dhe duke mos marrë pikë për herë të dytë në tri garat e fundit.

Ky dështim ka bërë që avantazhi i tij në krye të renditjes të shkrihet në vetëm 25 pikë.

Nga problemet e Antonellit përfitoi shoku i tij i skuadrës, George Russell, i cili rrezikoi duke mos u futur në boks për goma të reja dhe doli i dyti, duke u afruar në tabelën e pikëve.

Podiumi u plotësua nga heroi vendas Lewis Hamilton (Ferrari), i cili doli i treti përkundër një penaliteti prej pesë sekondash për nisje të parakohshme.

Ndonëse pati konfuzion në xhiron e fundit nëse makina e sigurisë do të largohej për një sprint final, ajo qëndroi në pistë deri në kthesën e fundit, duke ia konfirmuar fitoren Leclercut.

“Nuk ishte diçka e mirë për tifozët, por brenda helmetës sime isha i lumtur që nuk pati rinisje,” u shpreh pas garës piloti i Ferrarit, për të cilin kjo ishte fitorja e parë që nga viti 2024.

KosovaPress

Të fundit

LEXONI GJITHASHTU