No menu items!

Lirohet nga akuza i akuzuari për mashtrim rreth shitblerjes së një banese

Gjykata Themelore në Prishtinë, të hënën ka shpallur aktgjykim lirues për Kadri Batushën, i cili akuzohej për mashtrim.

Batusha akuzohej se ka vënë në lajthim të dëmtuarin, Nexhat Zejnullahu, ashtu që duke i fshehur faktet e ka bindur të lidhë kontratë për shitblerjen e një banese, ku i dëmtuari Zejnullahu ia kishte dhënë atij një veturë në vlerë prej 25 mijë euro dhe para mbi 65 mijë euro, e që banesa në fjalë nuk u ndërtua kurrë.

Shpallja e aktgjykimit ndaj të akuzuarit Batusha është bërë nga gjykatësja Sulltane Hoti, e cila tha se nuk është provuar se i njëjti ka kryer veprën penale “Mashtrimi”, raporton “Betimi për Drejtësi”.

Ndërsa, shpenzimet gjyqësore bien në barrë të mjeteve buxhetore të kësaj gjykate.

i dëmtuari Nexhat Zejnullahu për realizimin e kërkesës pasurore-juridike udhëzohet në kontest të rregullt civil.

Ndryshe, Prokuroria Themelore në Prishtinë më 16 dhjetor 2015 ka ngritur aktakuzë kundër Kadri Batushës, sepse më 16 maj 2014 në Prishtinë, është iniciuar rasti kundër të njëjtit, me arsyetimin se ka vepruar në atë mënyrë që me qëllim që vetes t’i sjellë përfitim pasuror në mënyrë të kundërligjshme, e ka sjellë në lajthim të dëmtuarin Nexhat Zejnullahu, duke e shtyrë të veprojë në dëm të pasurisë së tij.

Aktakuza thotë se i pandehuri Batusha duke fshehur faktet e ka bindur të dëmtuarin që të bëjë kontratë mbi shitblerjen e banesës, e cila ishte planifikuar të ndërtohet në Prishtinë, në lagjen “Mati 1”, me sipërfaqe prej 129,00 metra katrorë, me një çmim kontraktues prej 90 mijë e 300 euro.

Tutje, akti akuzues thotë se i dëmtuari i ka besuar të pandehurit pas prezantimit të lejes së ndërtimit dhe planit të banesës, me ç’rast fillimisht në emër të çmimit kontraktues të pandehurit ia jep një veturë të tipit “Audi” në vlerë 25 mijë euro dhe 20 mijë euro para të gatshme.

Kurse, pjesën tjetër të mbetur të parave prej 45 mijë e 300 euro i dëmtuari ia kishte paguar të pandehurit dy javë më vonë edhe pse banesa në fjalë nuk është ndërtuar kurrë, me ç’rast i dëmtuari ka pësuar dëm material.

Me këtë, Batusha akuzohej se ka kryer veprën penale “Mashtrimi” nga neni 335, paragrafi 5 lidhur me paragrafin 1 të Kodit Penal të Republikës së Kosovës, vepër kjo e dënueshme me gjobë dhe me burgim prej tre deri në dhjetë vjet. /BetimipërDrejtësi

Të fundit

LEXONI GJITHASHTU

Raporto24
Përmbledhje e privatësisë

Kjo faqe përdor cookie në mënyrë që t'ju ofrojmë përvojën më të mirë të shfletimit. Informacioni i cookie-ve ruhet në shfletuesin tuaj dhe kryen funksione të tilla si t'ju njohë kur ktheheni në faqen tonë dhe ndihmon ekipin tonë të kuptojë se cilat pjesë të faqes ju duken më interesante dhe të dobishme.