No menu items!

Lladrovci: Heronjtë janë si Asllan Fazliu, besnik, i devotshëm, i përmbajtur, trim, guximtar

Në Ditën e çlirimit të Komunës së Drenasit, me rastin e zbulimit të shtatores së heroit, Asllan Fazliu, në fjalën e tij, kryetari i kësaj komune, Ramiz Lladrovci, ka theksuar se Drenasi nga sot është më i bukur me shtatoren e heroit, Asllan Fazliu-Komandant Luani.

Guximi i tij, do të jetë amanet për breza se në momentet vendimtare për jetë e vdekje, nuk i lëshojmë pozicionet e as i frikohemi vdekjes duke i mbrojtur ato, ka shkruar Lladrovci.

Postimi i tij në rrjetin social: Me rastin e Ditës së çlirimit të Komunës së Drenasit, u përurua shtatorja e Heroit Asllan Fazliu – Komandant Luani, në prani të personaliteteve dhe qytetarëve të shumtë, mbajta këtë fjalë rasti:

E nderuara bashkëshorte e Komandant Luanit, zonja Ajshe, bija të heroit, Lirie, Qëndresë, Bjondinë, I nderuari Liridon, Sot, po fillon një kapitull i ri për heroin tonë në broz, Asllan Fazliun-Komandant Luanin. Ai bëhet banor i përhershëm i qytetit të Drenasit, i përjetësuar në bronz, këtu, në mesin tonë, ku zhvillohet jeta e qytetarëve të lirë. Qyteti i Drenasit, nga sot, do të jetë edhe më i bukur, edhe me ma shumë vlerë, sepse, po i vije një hero, i cili me bindje, me zemër dhe me vepër, dëshmoi se liria është më e vlefshme se jeta.

Ai e dëshmoi se ne e meritojmë lirinë. Po, është Asllan Fazliu i Gradicës. I Gradicës heroike, i fshatit të skajshëm të komunës që ndër shekuj ishte strehë e lirisë. Në Gradicë, lindën trima sikur të këngëve kreshnike që bartin historinë e qëndresës brez pas brezi. Nga ky fshat i vogël, por me histori të madhe, dolën trima si Tahir Gradica, Lec Gradica, Mehmet Gradica, për të kurorëzuar shekullin e lirisë me Ushtrinë Çlirimtare të Kosovës, Asllan Fazliu-Komandant Luani, me bashkëluftëtarë e vëllezër të pushkës e gjakut, dëshmorët Milazim Fazliu dhe Mehdi Fazliu, dëshmorja Antigone Fazliu, Doktori i plagëve të lirisë, Lec Leci, dëshmorët Muhamet Dervishi, Mehmet Saliuka, Hashim Uka dhe martirë të shumtë që kurrë nuk iu nënshtruan pushtuesit serb. Qyqavica ishte shtëpia besnike e kaçakëve me dekada, nga ajri i pastër rrëzë këtij mali, Gradica jetonte jetën, nga beteja në betejë.

Edhe kur nuk kishte liri, Gradica nuk nënshtrohej. Asllani, i biri i Zymerit dhe Ajetes, të cilin kam pasur fatin ta njoh në barrikadat e demonstrata, megjithëse pak më i moshuar se unë, herët do të radhitej drejt kauzës kombëtare.

Ai do të njihej më për së afërmi me Fehën dhe atdhetarët e viteve ’80. Torturat e pushtuesit ndaj familjarëve të tij, gjatë viteve ’90, do ta forconin edhe më shumë idealin e tij për çlirim nga okupatori, duke u interesuar që të shtrëngonte radhët e UÇK-së, në fillimet e saj. Ai u vu në dijeni të aktivitetit çlirimtar të Komandantit Adem Jashari dhe pak para fillimit të Epopesë së UÇK-së, më 3 mars kishte kontaktuar me të dhe e pranon në radhët e UÇK-së, dhe ngarkohet me armë automatike PKT. Rënia e Komandantit tonë legjendar Adem Jasharit dhe Jasharajve në Prekaz, Komandant Luanin e bëjnë më të vendosur se kurrë, për çlirimin e vendit.
Ardhja e Fehës në pranverën e vitit 1998, ia fuqizon bindjen se tashmë, rruga e çlirimit ishte e pakthyeshme, duke u bërë pjesë e radhëve më aktive të UÇK-së. Asllan Fazliu, si një luftëtar i përkushtuar, mori pjesë në shumë beteja, bashkëluftëtarët e tij të gjallë, dëshmojnë se Komandant Luanit nuk i trembej syri as nga lufta e as nga pasojat e saj. Ai e kishte ndarë mendjen për çlirim, pavarësisht çmimit që do ta paguante. Heronjtë janë si Asllan Fazliu, besnik, i devotshëm, i përmbajtur, trim, guximtar. Ai do të dëshmohej në shumë beteja. Lidhur me talentin e tij luftarak, mund të flasin bashkëluftëtarët e tij. Trimëria e tij, është trashëgimi për brezat. Komandant Luani, në shtatorin e vitit 1998 do të bënte qëndresë, edhe kur së pari bie në altarin e lirisë, heroina Fatime Hetemi.

Ai do të ishte më i afërti në çastet e fundit të heroit e heroinës, Fehmi e Xhevë Lladrovci. Ai në zjarrin e luftës, ku sulmet e armikit në pikën ku qëndronte Feha dhe Xheva me bashkëluftëtarë do të goditet rëndë dhe kur kishte filluar heshtja e krismave nga pika ku ishin ata, Komandant Luani do ta lëshonte pikën ku ishte i ngarkuar për luftime dhe do të shkojë te pozicioni ku u përjetësuan Fehmiu e Xheva. Guximi i tij, do të jetë amanet për breza se në momentet vendimtare për jetë e vdekje, nuk i lëshojmë pozicionet e as i frikohemi vdekjes duke i mbrojtur ato.

Të nderuar qytetarë, E nderuara Familje Fazliu, Liria e Kosovës është fryt i përpjekjes së shumë gjeneratave për liri. Brezit tonë, historia ia caktoi barrën më të rëndë, fillimin e luftës për liri. Në këtë luftë çlirimtare, do të dëshmohen bijat dhe bijtë më të devotshëm të kombit.

Asllan Zymer Fazliu, i takon më të mirëve të kombit, i takon të tashmes tonë që e shohim idealin e tij të realizuar, njëherësh, i takon së ardhmes se si duhet atdheu. Kjo shtatore, është dëshmi se qëndresa e Komandant Luanit, është shembull për gjenerata. Ajo qëndresë nuk do të harrohet kurrë, ndërsa familja Fazliu, do të jetë përgjithmonë e nderuar që lindi e rriti trim si Asllan Fazliu.

Ashtu si ishin bashkë me Fehën e Xhevën, Fatime Hetemin, Shefqet Zekën, vëllezërit Kadri, Avdi dhe Xhevdet Karaqica dhe shumë dëshmorë tjerë, ata janë sot bashkë në Memorialin e dëshmorëve në Gllanasellë. Sot e gjithmonë, këtu, për festa, ashtu si në ditët e përkujtimit të lavdisë tonë, do të përkulemi me nderim dhe do të vendosim lule të freskëta për heroin Asllan Fazliu, Komandant Luanin.

I përjetshëm është kujtimi për të! Nderim i përjetshëm për familjen Fazliu që dha shumë kontribut për lirinë e Kosovës! Lavdi Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës!

Të fundit

LEXONI GJITHASHTU

Raporto24
Përmbledhje e privatësisë

Kjo faqe përdor cookie në mënyrë që t'ju ofrojmë përvojën më të mirë të shfletimit. Informacioni i cookie-ve ruhet në shfletuesin tuaj dhe kryen funksione të tilla si t'ju njohë kur ktheheni në faqen tonë dhe ndihmon ekipin tonë të kuptojë se cilat pjesë të faqes ju duken më interesante dhe të dobishme.