No menu items!

Llapi vazhdon t’i besojë rinisë – debuton me fanellën bardhëekaltër edhe 19-vjeçari Eris Abdullahu

Pavarësisht situatës së vështirë në tabelë dhe përgatitjeve për sfidën e barazhit, Llapi vazhdon të mbetet një ndër klubet më të përkushtuara për zhvillimin e talentëve vendorë. Këtë e dëshmoi edhe fundjavën që lamë pas, ku në fitoren 3-1 ndaj Dukagjinit, debutoi mbrojtësi 19-vjeçar, Eris Abdullahu.

I ardhur nga grupmoshat e reja të klubit, Abdullahu është shpërblyer me debutim pas paraqitjeve të shkëlqyera në kategoritë zinxhir të Llapit, duke bindur trajnerin Tahir Batatina që t’i japë hapësirë në ekipin e parë.

Bëhet fjalë për një mbrojtës shtatgjatë dhe të fuqishëm në duelet fizike, i cili gjithashtu shkëlqen në lojën ajrore.

Ajo që e veçon më shumë është këmba e majtë e saktë, me të cilën ndërton lojën nga prapa dhe jep pasime precize në vijën e fundit të mbrojtjes.

Në një prononcim për Telegrafin, Abdullahu u shpreh i emocionuar për debutimin dhe falënderues ndaj klubit.

“Jam shumë i lumtur që kam debutuar me fanellën e Llapit. Është një ndjenjë e veçantë të veshësh këtë fanellë dhe të kontribuosh për një klub me objektiva të qarta. Falënderoj trajnerin dhe klubin për besimin, dhe do të vazhdoj të punoj fort që ta justifikoj këtë mundësi. Kjo është vetëm fillimi”, tha ai.

Ky debutim vjen në një kohë kur Llapi po përgatitet për një nga ndeshjet më të rëndësishme të sezonit – përballjen në barazh ndaj Vushtrrisë, e cila do të përcaktojë fatin e tyre në Superligë.

Nëse ekipi i Batatinës siguron qëndrimin mes më të mirëve, emri i Abdullahu pritet të dëgjohet edhe më shpesh në të ardhmen, si një element kyç i mbrojtjes së Llapit dhe ndoshta edhe i përfaqësueses. /Telegrafi/

Të fundit

LEXONI GJITHASHTU

Raporto24
Përmbledhje e privatësisë

Kjo faqe përdor cookie në mënyrë që t'ju ofrojmë përvojën më të mirë të shfletimit. Informacioni i cookie-ve ruhet në shfletuesin tuaj dhe kryen funksione të tilla si t'ju njohë kur ktheheni në faqen tonë dhe ndihmon ekipin tonë të kuptojë se cilat pjesë të faqes ju duken më interesante dhe të dobishme.