Presidenti francez Emmanuel Macron ka paralajmëruar SHBA-në dhe aleatët e Indo-Paqësorit kundër rrezikut të një standardi të dyfishtë, nëse ata fokusohen te përballja me Kinën duke lënë mënjanë mbështetjen për Ukrainën, shkruan Gazeta Sinjali.
Gjatë fjalimit të tij në konferencën e sigurisë “Shangri-La Dialogue” në Singapor, Macron theksoi se braktisja e Ukrainës do të minonte besueshmërinë ndërkombëtare të SHBA-së, duke dobësuar rolin e saj në frenimin e krizave të mundshme në rajonin Indo-Paqësor.
“Nëse mendoni se Rusia mund të marrë territor pa ndëshkim, si do të përgjigjeshit për Tajvanin kur të vijë momenti?” – deklaroi Macron, në prani të Sekretarit Amerikan të Mbrojtjes, Pete Hegseth
Paralajmërimi i presidentit francez vjen mes shqetësimeve për rritjen e tensioneve midis SHBA-së dhe Kinës. Uashingtoni ka kërcënuar me tarifa të reja ndaj Pekinit, ndërsa Kina vazhdon demonstrimet ushtarake afër Tajvanit, të cilin e konsideron territor të vetin.
Ndërkohë, SHBA ka rikonfirmuar politikën e saj për një Indo-Paqësor të lirë dhe të hapur, përmes pranisë së rregullt detare në rajon. Megjithatë, pasiguria për angazhimin e saj afatgjatë në Ukrainë ka ngjallur debat në rrafshin ndërkombëtar.