Ministri Maqedonci: Serbia mban 70% të kapaciteteve ushtarake pranë kufirit me Kosovën, intervista ime është keqinterpretuar
Ministri i Mbrojtjes së Kosovës, Ejup Maqedonci, ka reaguar pas polemikave të shkaktuara në rrjete sociale dhe portale pas deklaratave të tij në një intervistë për A2 CNN, ku diskutoi mbi pozicionimin e forcave serbe pranë kufirit me Kosovën. Sipas tij, fragmenti njëminutësh i publikuar është nxjerrë jashtë kontekstit dhe po përdoret për të devijuar vëmendjen nga Ushtrimi “Defender Europe 25”, një prej zhvillimeve më të rëndësishme ushtarake në vend,shkruan Raporto24
“Në përpjekje për të larguar vëmendjen e qytetarëve nga një ndër ngjarjet më të mëdha në Kosovë, nga akterë të ndryshëm në Kosovë u nis një fushatë në rrjete sociale dhe portale rreth një minute të intervistës sime, e cila u paraqit si lajm i ditës, ndërkohë që intervista 30-minutëshe kishte në fokus kryesor Defender Europe 25”, shkroi Maqedonci në Facebook.
Ministri sqaroi se qëndrimi i tij lidhur me pozicionimin e forcave serbe ka qenë gjithmonë i njëjtë dhe i bazuar në fakte, duke hedhur poshtë çdo pretendim për propagandë.
“Propagandë do të ishte nëse do të thosha që Serbia ka qasje paqësore ndaj Kosovës, që nuk ka mbështetur grupe terroriste në veri apo që nuk ka tentuar ta baltosë luftën e drejtë të UÇK-së në arenën ndërkombëtare. Por deklarata ime për militarizimin e jugut të Serbisë është një fakt i verifikueshëm publikisht/Raporto24/