Deputeti i Kuvendit të Republikës së Kosovës nga radhët e Partisë Demokratike, Hisen Berisha, ka përmendur rastin e ish aktivistit të ndjerë të Lëvizjes Vetëvendosje, Astrit Dehari, raporton Gazeta Sinjali.
“Në rastin e Astrit Deharit po duket qe kemi ndërhyrje direkte të Qeverisë. Interesi i partisë në pushtet është që ky rast të mos zbardhet. Ky rast nuk po zbardhet nga 2019-ta kur kjo parti ka ardhur në pushtet. Zonja ministre janë dy parakushte për ta zbardhur i pari është zbardhja e rastit terrorist në objekte të kuvendit e qeverisë. I dyti është zbardhja e rastit të vetëvrasjes së Arbnorit. Cilat ishin arsyet e vetëvrasjes…”, tha Hiseni.
Kjo është pritur me reagim të ashpër nga deputetët e VV-së dhe ministrja e Drejtësisë, Albulena Haxhiu, e cila i është drejtuar Berishës me ‘Marre të koftë’.
“Ju keni qenë në qeveri kur është vrarë Astrit Dehari! Asnjë fjalë! Asnjë fjalë! Ju i keni duart me gjak!” – ka vazhduar ajo.
Po ashtu edhe deputetët tjerë kanë shkaktuar zhurmë duke goditur tavolinën.
Me tej ka vazhduar përplasja mes Haxhiut dhe Berishës nga distanca.
Po ashtu në debat është përfshirë edhe kryetari i Kuvendit, Glauk Konjufca.
“Edhe ju e dini, që përpjekja me e lidhë LVV-në me atë sulm, ka qenë një proces i montuar politik, me prapavijë politike” – tha kryetari i Kuvendit, Glauk Konjufca.