Ka filluar sot dita e dytë dhe kryesore e garës së parë në disiplinën malore për Kampionatin e Kosovës në automobilizëm.
Pas procedurave administrative që nisën të shtunën, shtegu i Grashticës sot u mbyll zyrtarisht për qarkullim civil në orën 11:00 për t’u lënë radhën xhirove zyrtare që vendosin pikët e para të vitit.
Ky event, i organizuar nga Federata e Auto Sportit të Kosovës (FASK), ka mbledhur automobilistët më të mirë në vend, të cilët kanë ndarë përshtypjet dhe pritshmëritë e tyre direkte nga terreni.
Gazmend Gashi, Drejtori i Federatës së Automobilizmit, i pyetur rreth mbështetjes institucionale për këtë sport, u shpreh optimist për të ardhmen
Gashi: “Kemi mbështetje, sidomos këto vitet e fundit”
“Po, kemi mbështetje, sidomos këto vitet e fundit. Besoj që edhe sponsorët e tjerë do të na afrohen sa më shumë, si klubeve ashtu edhe federatës, në mënyrë që të kemi organizim sa më cilësor të garave.”
Rysha, e vetmja garuese femër në këtë disiplinë, foli hapur rreth sfidave dhe interesimit të ulët të grave në këtë sport:
Rysha: Interesimi nga femrat është shumë i ulët
“Në garat malore jam e vetmja femër që garoj me meshkuj. Interesimi është shumë i vogël, ndërsa në auto sllallom ka pak më shumë interesim, por jo shumë i madh. Në krahasim me shtetet e tjera, Kosova është shumë e ngecur në auto sport me femra.”
Bardhyl Canolli, garues i mirënjohur, dha detaje teknike rreth mjetit të tij të fuqishëm me të cilin synon kreun e klasifikimit:
Canolli: është veturë e dedikuar vetëm për gara
“Kjo quhet Radical SR8 LM, me një motor V8 me 8 cilindra. Është prodhim anglez dhe është një veturë e dedikuar vetëm për gara.”
Shaqiri, garues, u pyet mbi rreziqet e këtij sporti me shpejtësi të lartë dhe rëndësinë e sigurisë:
Shaqiri: Rreziku gjithmonë i pranishëm
“Si çdo sport, edhe ky ka rreziqet e veta absolutisht, por ne përpiqemi të bëjmë maksimumin ta moderojmë rrezikun dhe të jemi të kujdesshëm. Rreziku gjithmonë është i pranishëm, andaj mundohemi të jemi sa më të sigurt, gjithmonë brenda kushteve të sigurisë.”
Gazmend Demolli, kampioni aktual në fuqi, tregoi synimet e tij të mëdha për këtë fundjavë dhe objektivin për të thyer rekordin e pistës:
Demolli: Jam duke luftuar për ta thyer rekordin
“E mbaj rekordin e kësaj piste. E kam vozitur një Radical të tipit formulë dhe jam që dy vjet me këtë veturë. Jam duke luftuar për ta thyer rekordin e po kësaj veture që ka garuar këtu. Është një garë tejet atraktive.”
Kjo garë malore në Grashticë dëshmoi një nivel të jashtëzakonshëm profesionalizmi dhe sigurie nga ana e FASK-ut, duke vendosur një standard të lartë për mbarëvajtjen e Kampionatit të Kosovës në automobilizëm. Bashkëpunimi i shkëlqyer mes organizatorëve, zyrtarëve teknikë dhe garuesve dëshmon se auto sporti vendor po rritet me hapa të sigurt drejt sukseseve edhe më të mëdha.
KosovaPress


