Ish-kryeministri dhe lideri i AAK-së, Ramush Haradinaj, ka kujtuar sot Ditën e Çlirimit të Shqiponjës, një ndër vendet më të shenjta të luftës së Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës.
Në një postim në Facebook, Haradinaj shkruan se Shqiponja mbetet simbol i qëndresës dhe krenarisë kombëtare, duke theksuar se nga ky vend janë nisur mijëra luftëtarë drejt betejave më të lavdishme të historisë shqiptare.
“Shqiponja, simboli i qëndresës dhe krenarisë kombëtare, sot shënoi Ditën e Çlirimit, duke kujtuar me nderim dhe krenari sakrificën shekullore të shqiptarëve për liri”, shkruan Haradinaj.
Ai thekson se ky vend, që nga fillimi i luftës, ishte strehë e UÇK-së dhe reflektim i shpirtit liridashës të popullit shqiptar.
“Fitorja e madhe, që erdhi pas sulmit të fillim-majit dhe u kurorëzua më 17 maj 1999, ishte paralajmërimi i një epoke të re – epoka e çlirimit dhe e shpresës për një Kosovë të lirë”, shton ai.
Në fund të mesazhit, Haradinaj bën thirrje për nderim të përhershëm për dëshmorët dhe të rënët për liri:
“Sot, në këtë përvjetor të rëndësishëm, përkulemi me respekt të thellë para gjakut të derdhur për liri. Lavdi përjetë dëshmorëve të UÇK-së. Nder e krenari për çdo familje që dha më të dashurit për lirinë që gëzojmë sot.”/Raporto24