Mediumi argjentinas i kushton artikull Granit Xhakës: Pasqyrim i një lidhjeje të përjetshme me Kosovën

Zvicra, me në krye kapitenin Granit Xhaka, ka treguar edhe njëherë karakter të fortë duke siguruar një vend në çerekfinalet e Kupës së Botës.

Në prag të përballjes mes Zvicrës dhe Argjentinës në këtë fazë të turneut, mediumi argjentinas Canal26 i ka kushtuar një artikull të veçantë Granit Xhakës, duke rrëfyer historinë e tij familjare, mërgimin e prindërve nga Kosova dhe rivalitetin me Serbinë.

“Granit Xhaka nuk është vetëm kapiteni i kombëtares së Zvicrës apo një nga mesfushorët më të njohur të Evropës. Ai është gjithashtu pasqyrim i një historie familjare të karakterizuar me mërgim, përndjekje politike dhe një identitet që ka mbetur gjithmonë i lidhur me Kosovën”, thuhet në artikull.

“Në prag të ndeshjes mes Zvicrës dhe Argjentinës në çerekfinalet e Kupës së Botës 2026, emri i Xhakës rikthehet në qendër të vëmendjes jo vetëm për lidershipin e tij në fushë, por edhe për atë që përfaqëson jashtë saj”.

Artikulli nis rrëfimin me historinë e babait të Granitit, Ragip Xhakës, i cili u largua nga Kosova pas tensioneve politike dhe etnike në ish-Jugosllavi.

“Në rininë e tij, Ragipi mori pjesë në demonstratat studentore kundër regjimit jugosllav-serb dhe u arrestua. Sipas mediave evropiane, ai u dënua me disa vite burg për pjesëmarrjen në ato protesta”.

“Burgu la gjurmë të thella në familje. Ragipi kaloi vite në kushte shumë të rënda, duke ndarë qelinë me të burgosur të tjerë dhe me vetëm pak minuta në ditë në ajër të pastër”.

“Në intervista të ndryshme ai ka treguar se gjatë burgimit u rrah dhe u torturua, një përvojë që më vonë u bë pjesë e identitetit të djalit të tij”.

Sipas mediumit argjentinas, kjo histori e rezistencës, vuajtjes dhe mbijetesës shpjegon një pjesë të madhe të karakterit të Granit Xhakës, të cilit i përmenden temperamenti, por njëkohësisht edhe disiplina dhe aftësia për të udhëhequr.

Më pas, artikulli ndalet te lindja e Granit Xhakës në Basel dhe sakrifica e prindërve të tij, Ragipit dhe Elmazes, për t’u siguruar fëmijëve një jetë më të mirë.

“Nëna e tij, Elmaze Xhaka, pati një rol të rëndësishëm. Ajo punoi gjatë së bashku me Ragipin për të mbajtur familjen dhe për t’u siguruar fëmijëve një jetë më të mirë”.

“Granit ka treguar në intervista se që fëmijë mësoi të ishte i përgjegjshëm. Ndërsa prindërit punonin, ai dhe vëllai i tij Taulant Xhaka kalonin shumë orë vetëm në shtëpi”.

“Kjo fëmijëri jo e lehtë formësoi futbollistin që më vonë do të bëhej kapiten i Zvicrës”.

Në vazhdim, Canal26 i kushton vëmendje edhe raportit Kosovë-Serbi dhe ngarkesës historike që kanë përballjet me këtë të fundit, sidomos për lojtarët me prejardhje nga Kosova.

Rivaliteti mes Zvicrës dhe Serbisë nuk mund të shpjegohet vetëm me futbollin. Për lojtarë si Granit Xhaka dhe Xherdan Shaqiri, të dy me prejardhje shqiptare nga Kosova, ndeshjet kundër Serbisë kanë një ngarkesë të fortë emocionale dhe historike”.

“Kosova shpalli pavarësinë në vitin 2008, por Serbia ende nuk e njeh atë. Momenti më i njohur ndodhi në Kupën e Botës 2018 në Rusi”.

“Zvicra fitoi 2-1 ndaj Serbisë dhe Xhaka shënoi një gol vendimtar. Gjatë festimit ai bëri me duar simbolin e shqiponjës dykrenare, që lidhet me flamurin shqiptar. Edhe Xherdan Shaqiri bëri të njëjtin gjest”.

Sipas mediumit, për shumë shqiptarë dhe kosovarë ky gjest ishte një shprehje krenarie dhe identiteti, ndërsa për një pjesë të opinionit serb u konsiderua si provokim.

Ata shkruajnë se shqiponja dykrenare e tejkalon futbollin dhe se ky moment u bë një nga imazhet më të fuqishme të Botërorit 2018.

“Gjesti i shqiponjës dykrenare u bë një nga imazhet më të fuqishme të Botërorit 2018”.

“Në aspektin sportiv ishte një festim goli, por në aspektin historik ishte një shprehje e identitetit. Xhaka nuk festoi vetëm golin; ai kujtoi prejardhjen e familjes së tij dhe historinë që ajo mbartte. Shqiponja dykrenare është simboli i flamurit shqiptar dhe përdoret gjerësisht nga diaspora shqiptare”.

“Për komunitetet shqiptare të Kosovës në mbarë Evropën ajo përfaqëson kujtesën, krenarinë dhe qëndresën kulturore”.

“Prandaj, sa herë që Xhaka përballet me Serbinë, ai nuk shihet vetëm si mesfushor i Zvicrës, por si simbol i një familjeje të mërguar dhe i një brezi që, edhe pse lindi larg Kosovës, nuk i harroi kurrë rrënjët”.

Në fund, artikulli i kushton rëndësi edhe sfidës së radhës ndaj Argjentinës, duke theksuar peshën që kjo ndeshje ka për të dyja kombëtaret, por veçanërisht për Xhakën.

“Për Zvicrën, kualifikimi në gjysmëfinale do të ishte një arritje historike. Për Argjentinën, kampionen në fuqi të botës, objektivi është mbrojtja e titullit. Ndërsa për Granit Xhakën, kjo është një tjetër mundësi për të treguar se karriera e tij është ndërtuar mbi sfida të mëdha, presion maksimal dhe një histori personale që e ka shtyrë gjithmonë të luftojë deri në fund”.

“Granit Xhaka është shumë më tepër sesa kapiteni i Zvicrës. Ai është djali i prindërve të mërguar nga Kosova, trashëgimtari i një kujtese familjare të dhimbshme dhe një nga figurat më të rëndësishme të një kombëtareje multikulturore që i ka shndërruar rrënjët e saj në identitet futbollistik”.

Të fundit

LEXONI GJITHASHTU