Mesfushori i Spanjës, Mikel Merino, ka pranuar se përballja me Lionel Messin do të jetë një nga sfidat më të mëdha për “La Rojan”, në prag të finales së Kupës së Botës 2026 kundër Argjentinës.
Në konferencën për media para ndeshjes së së dielës, Merino e cilësoi kapitenin argjentinas si një futbollist të jashtëzakonshëm, duke theksuar se përballja me të është një motivim i madh për të gjithë skuadrën spanjolle.
“Është një sfidë e madhe dhe një motivim i jashtëzakonshëm për mua dhe për të gjithë ekipin. Të luash kundër një skuadre si Argjentina, që e ka fituar tashmë këtë trofe, e bën këtë ndeshje edhe më domethënëse. Jam shumë i lumtur që po e përjetoj këtë moment”, deklaroi Merino.
Mesfushori i Arsenalit ka qenë një nga lojtarët kyç të Spanjës gjatë këtij Botërori, duke shënuar gola vendimtarë pasi u aktivizua nga stoli në fazën e eliminimit direkt.
Merino tha se beson plotësisht në aftësitë e tij, por theksoi se suksesi i ekipit është mbi gjithçka.
“Kam besim të madh në veten dhe në aftësitë e mia. Sa herë hyj në fushë besoj se mund ta ndihmoj ekipin. Megjithatë, nuk ka rëndësi kush është heroi i ndeshjes. E rëndësishme është që skuadra të fitojë. Kur fiton një titull, ai i takon të gjithëve, jo vetëm formacionit titullar”, u shpreh ai.
Finalja e Kupës së Botës 2026 ndërmjet Argjentinës dhe Spanjës zhvillohet të dielën, më 19 korrik, në stadiumin “MetLife” në New Jersey, me fillim nga ora 21:00.


