Një nga emrat më të njohur të grupit “Hellbanianz”, Sabajet Shuti – i njohur ndryshe si “Skilla” – është dënuar me burgim të përjetshëm në Londër, nën akuzën e vrasjes së 27-vjeçarit Lumturi Zeqja.
Foto: I ndjeri, Lumturi Zeqja
Ngjarja e rëndë ndodhi në mbrëmjen e 16 tetorit 2022 në zonën e Church Lane, Leytonstone, dhe tronditi komunitetin shqiptar në Mbretërinë e Bashkuar.
Në të njëjtën çështje u shpall fajtor edhe vëllai i tij, Emirlion Shuti, i njohur si “Mili HB”. Ai u dënua me 20 muaj burg, por me vendim për t’u vuajtur në shërbim prove, pasi u gjet fajtor për përleshje në vendin e krimit.
Gjykata dëgjoi rrëfimin e plotë të ngjarjes së përgjakshme. Lumtur Zeqja po qëndronte jashtë një kafeneje bashkë me mikun e tij kur vëllezërit Shuti mbërritën me dy makina. Pak më vonë, Emirlioni nisi një përplasje fizike me shokun e viktimës, duke e goditur me grusht. Në kulmin e kaosit, Sabajeti nxori thikën dhe goditi për vdekje Lumturin, ndërsa plagosi edhe shokun e tij, i cili fatmirësisht i mbijetoi sulmit pas një ndërhyrjeje të menjëhershme kirurgjikale.
Pas krimit, vëllezërit u larguan nga vendi i ngjarjes, ndërsa Sabajeti tentoi të zhdukte gjurmët. Një ditë më pas, ai ndryshoi pamjen dhe u arratis drejt Francës, por nuk ia doli të shpëtonte drejtësisë. Ai u arrestua në Suedi më 3 tetor 2023 dhe u ekstradua në Mbretërinë e Bashkuar, ku u përball me akuzat që i sollën dënimin më të rëndë.
Policia arriti të rikonstruktojë ngjarjen përmes kamerave të sigurisë dhe të dhënave nga telefonat celularë, duke i çuar autorët përpara drejtësisë.
Një histori e errët që lë pas një jetë të humbur, një tjetër të shkatërruar, dhe një dënim të përjetshëm për një nga figurat më të njohura të një grupi që shpesh ka qenë në qendër të vëmendjes për lidhjet me dhunën në rrugët e Londrës.