Lionel Messi ka qenë vendimtar në një nga ndeshjet më dramatike të sezonit në SHBA, duke shënuar dy gola dhe duke asistuar një herë në fitoren e madhe të Inter Miamit ndaj LAFC, në çerekfinalen e CONCACAF Champions Cup, raporton Gazeta Sinjali.
Skuadra nga Florida ishte në disavantazh prej dy golash, por rikthimi nisi nga vetë kampioni i botës. Fillimisht, Messi realizoi një gol spektakolar në pjesën e dytë, duke hapur rrugën për përmbysjen e rezultatit.
Në minutat e fundit, në një skenë që rikujtoi finalen e Kupës së Botës 2022, argjentinasi përballë Hugo Lloris – një tjetër emër i madh i futbollit – ekzekutoi saktësisht nga penalltia për ta çuar rezultatin në favor të Inter Miamit.
Ky sukses i siguron ekipit amerikan një vend në gjysmëfinalen e garës më prestigjioze për klube në Amerikën Veriore dhe Qendrore.
“E dinim që do të ishte e vështirë, por nuk u dorëzuam asnjë sekondë. Jam krenar për këtë skuadër“, ka potencuar Messi pas ndeshjes.