Prokuroria Speciale e Kosovës ka ngritur aktakuzë në Gjykatën Themelore në Prishtinë ndaj disa zyrtarëve shtetërorë, përfshirë ish-ministrin e Tregtisë dhe Industrisë, Bajram Hasanin, e kryetarin e Malishevës, Ragip Begaj.
Siç ka mësuar KOHA, bëhet fjalë për dyshimet për keqpërdorime të pozitës apo autoritetit zyrtar.
Bajram Hasani, Ragip Begaj, Faton Thaçi (ish-zv.ministër) akuzohen për keqpërdorim të detyrës zyrtare. Për të njëjtën vepër aktakuzë është ngritur edhe ndaj Hajdin Berishës nënkryetar i Malishevës, Nazmi Kafexhollit drejtor në Ministrinë e Bujqësisë, dhe Bekim Krasniqit e Malë Krasniqit si zyrtarë të kadastrës në Malishevë.
Ndërkaq, biznesmeni Ahmet Rrahmani akuzohet për “shpëlarje parash”.
KOHA pati raportuar qysh në prill të vitit të shkuar se shpronësimet për zonën ekonomike të Malishevës kanë çuar në hetim të disa zyrtarëve të ish-qeverisjes së Ramush Haradinajt. Sipas dokumenteve që ishin siguruar, çmimi me të cilin Qeveria Haradinaj planifikonte shpronësimin e tokave ishte për 7000 për qind më lartë se vlera me të cilën ato ishin privatizuar vjet më parë.
Metri katror ishte privatizuar në atë zonë për 10 centë, ndërkaq 11 vjet më vonë Qeveria po planifikonte që këtë ta bënte për 7 euro e gjysmë.
Vlera totale që do të paguhej nga buxheti i shtetit për shpronësime për ndërtimin e kësaj zone ishte më shumë se 7 milionë euro.