Vdekja e 27-vjeçarit në Lipjan gjatë ndërhyrjes nga policia po hetohet, ndërsa flitet se shkaktar i vdekjes së tij mund të ketë qenë ngufatja.
Ehat Miftaraj, nga Instituti i Kosovës për Drejtësi ka thënë se ka informacione që e lidhin drejtpërdrejt vdekjen e të riut me veprimet e policisë gjatë arrestimit.
Miftaraj në një përgjigje për Telegrafin tha se këto informacione i posedon që nga e marta.
“Sipas informatave të siguruara nga IML del se z. ZEJNULLAHU ka pësuar nga ngulfatja. Sidoqoftë, IML është duke pritur edhe rezultatet tjera toksikologjike per të plotuesuar raportin”, tha Miftaraj.
Policia tha se i ndjeri Agon Zejnullahu, dyshohet se ishte nën ndikimin e alkoolit dhe duke sulmuar automjete e kalimtarë, kur u ndalua nga autoritetet e rendit.
Po atë ditë në mbrëmjen e 7 korrikut Inspektorati Policor njoftoi për arrestimin e pesë zyrtarëve policorë, nën dyshimet për kryerje të veprës penale “vrasje nga pakujdesia”.
Ndërkaq sot në orën 10:30 në Gjykatën Themelore, dega në Lipjan, do të mbahet seanca dëgjimore ndaj policëve të dyshuar për përfshirje në rastin e vdekjes së të riut 27-vjeçar në këtë komunë. /Telegrafi/