Ministri i Shëndetësisë, Rifat Latifi ka thënë se mund të largohet nga Qeveria e Kosovës në qoftë se ekzekutivi nuk i jep prioritet investimeve në sektorin e shëndetësisë.
Latifi, duke raportuar në Komisionin Parlamentar për Shëndetësi të mërkurën, deklaroi se nuk do ta kishte pranuar pozitën e ministrit në rast se nuk do t’i premtohej mbështetje të madhe.
“Nëse kisha mendu që kjo qeveri nuk e ka prioritet shëndetësinë, unë sot nuk do të isha këtu”, tha fillimisht Latifi, raporton Paparaci.
Por, nëse nuk do t’i jepet prioritet shëndetësisë, Latifi tha se mund të japë dorëheqje.
“Nëse shpërfillem nga qeveria, unë nuk e kam asnjë biznis me ndejtë këtu. Por, unë nuk e kam këtë ndjenjë”, vijoi ministri i Shëndetësisë.
Ministri tha se së shpejti pritet të ndryshojë funksionimi i Qendrës Klinike Universitare (QKUK), e cila funksionon pa udhëheqësi që prej themelimit të saj.
Latifi tha se do të caktojë udhëheqësit e QKUK-së.
“Dikasteri i shëndetësisë është injoruar tash e disa vite. Unë e kam shumë të paqartë se ne e kemi një qendër, QKUK-në, e cila jep shërbime terciare, dytësore e besa herë-herë edhe shërbime parësore, megjithatë ajo nuk ka udhëheqësi fare”, tha ai.