Në ministerialin e mbajtur sot në Zagreb, nën udhëheqjen e Zëvendëskryeministrit dhe Ministrit të Brendshëm të Kroacisë, Davor Božinović, Ministri i Punëve të Brendshme të Republikës së Kosovës, Xhelal Sveçla, prezantoi të arriturat e institucioneve kosovare në fushën e bashkëpunimit ndërkufitar, me fokus të veçantë në luftën kundër krimit të organizuar dhe migrimit të paligjshëm.
Në fjalën e tij, ministri Sveçla adresoi edhe sfidat konkrete me të cilat përballet Kosova, duke theksuar se mospërgjigja dhe refuzimi i bashkëpunimit nga ana e Serbisë, si dhe përdorimi i gjuhës kërcënuese dhe aspiratat territoriale nga ky shtet, përbëjnë pengesë serioze për përpjekjet e përbashkëta për paqe dhe siguri në rajon,trasmeton Raporto24
“Serbia jo vetëm që refuzon bashkëpunimin ndërkufitar, por vijon me qasje destabilizuese ndaj Republikës së Kosovës,” – theksoi ministri në postimin e tij në Facebook.
Pavarësisht sfidave, Ministri Sveçla siguroi se institucionet e Kosovës mbeten të përkushtuara dhe aktive në bashkëpunim të ngushtë me vendet aleate, si garanci për luftimin efikas të çdo forme të ilegalitetit që cenon sigurinë e brendshme dhe atë rajonale./Raporto24/