Ministria e Industrisë, Ndërmarrësisë dhe Tregtisë (MINT) ka miratuar një vendim që synon të rregullojë çmimet e produkteve të naftës të përdorshme në transport, për të mbrojtur konsumatorët dhe për të siguruar konkurrencë të ndershme në tregun vendor.
Ky vendim vjen si rezultat i mbikëqyrjes së vazhdueshme të tregut nga MINT, në bashkëpunim me Doganën e Kosovës dhe Inspektoratin Qendror të Mbikëqyrjes së Tregut. Gjatë analizave të kryera, është vërejtur se ndryshimet e çmimeve të furnizimit nga importi shpesh pasqyrohen menjëherë në rritje të çmimeve të shitjes, ndërsa nuk ndodh e njëjta kur çmimet bien.
Në këtë kontekst, MINT ka vendosur kufizimin e marzhës tregtare maksimale të lejuar për shitjen e produkteve të naftës, si vijon:
Shitja me shumicë: deri në 2 eurocent për litërShitja me pakicë: deri në 12 eurocent për litër
Vendimi do të hyjë në fuqi një ditë pas publikimit të tij në Gazetën Zyrtare të Republikës së Kosovës dhe do të shoqërohet me mbikëqyrje të shtuar inspektuese nga Inspektorati i Tregut, në bashkëpunim me Doganën dhe Administratën Tatimore.
Ministria thekson se ky hap është ndërmarrë për të siguruar një treg më të drejtë dhe më të qëndrueshëm, duke garantuar mbrojtjen e interesave të konsumatorëve dhe duke frenuar praktikat e padrejta në formimin e çmimeve.