Ministrja e Qeverisë së Austrisë për BE dhe Kushtetutën, Karoline Edtstadler, vlerëon se popullsia në Ballkanin Perëndimor nuk beson më në mundësinë reale të anëtarësimit dhe është afruar më shumë me narrativat ruse ose kineze.
Prandaj, sipas saj BE-ja duhet të marrë drejtimin në Ballkanin Perëndimor dhe t’i japë një vrull të ri proceseve të anëtarësimit, transmeton lajmi.net.
“Kjo nuk do të thotë se partnerët në Ballkanin Perëndimor nuk kanë nevojë të ecin përpara me reformat dhe t’i zbatojnë ato në terma konkretë – përkundrazi, nuk ka rrugë të shkurtra për t’u bërë anëtarë të plotë të BE-së. Megjithatë, është absurde kur hapa të tillë drastikë si ndryshimi i emrit të një vendi nuk shpërblehen, por vendosen kushte shtesë, të cilat, mbi të, janë politikisht jo të realizueshme”, ka shkruar ajo në platformën “X”.
Ajo ka shkruar se së bashku me ministrin e Jashtëm, Alexander Schallenberg, kanë punuar prej disa kohësh për t’i sjellë përfitimet reciproke të integrimit në BE më afër qytetarëve.
“Ne kemi paraqitur propozime për të ofruar stimuj dhe shpërblime të prekshme në këmbim të reformave të dhimbshme, por të nevojshme: nga pjesëmarrja e rregullt në debate në Bruksel dhe Luksemburg deri te stimujt konkretë financiarë të modeluar mbi planet e rimëkëmbjes dhe elasticitetit deri te bashkëpunimi shumë më i ngushtë në fusha konkrete të politikave, si p.sh. tregu, energjia, mbrojtja e mjedisit, shëndeti apo drejtësia, ndër të tjera. Ne duhet të fillojmë zbatimin e këtyre propozimeve sot dhe jo nesër”, ka shkruar Edtstadler.
Në një letër të publikuar, ajo ka kërkuar që negociatat e anëtarësimit me Bosnje e Hercegovinën të hapen në fund të vitit 2023, në fillim të 2024 të organizohen Konferenca Ndërqeveritare me Shqipërinë dhe Maqedoninë e Veriut.
“BE të synojë progresin në bisedimet e anëtarësimit me Serbinë dhe në procedimin e aplikimit të Kosovës për anëtarësim para zgjedhjeve në BE (subjekt i zhvillimeve të mëvonshme në normalizimin e diskutimeve mes Kosovës dhe Serbisë); nëse BE dëshiron ta marrë drejtimin, njohja e Kosovës nga të gjitha shtetet e BE-së është imperativ”, thuhet në letër.
“The EU must take the lead in the Western Balkans” ⬇️ (1/13) pic.twitter.com/flZPjfRzGj
— Karoline Edtstadler (@k_edtstadler) November 7, 2023