Ministrja e Administratës Publike dhe Vetëqeverisjes Lokale në Qeverinë e Serbisë, Snezhana Paunoviç, ka bërë një deklaratë skandaloze për Kosovën gjatë një interviste të dhënë për një media serbe.
Ministrja në qeverinë e Vuçiçit, tha se, po të kishte pasur lirinë e veprimit që kishte Slobodan Milosheviç, do ta kishte “spastruar etnikisht Kosovën gjatë luftës’.
“Për të metat dhe budallallëkun tonë, nëse do të kisha qenë e lirë si Millosheviqi, do ta kisha pastruar etnikisht Kosovën në vitin 1998”, deklaroi ministrja serbe.
Për këtë deklaratë, ka reaguar ashpër, djali i veprimtarit Ukshin Hoti, Andin Hoti.
Ministri në detyrë në Qeverinë e Kosovës, Andin Hoti, ka reaguar duke e krahasuar atë me ish-presidentin serb, Sllobodan Millosheviq, dhe duke thënë se çdo tentativë për spastrim etnik në Kosovë do të kishte të njëjtin përfundim.
“Babai yt ideologjik, Millosheviqi, provoi të njëjtën gjë në Kosovë. Përfundoi para drejtësisë ndërkombëtare, ndërsa Serbia u largua nga Kosova me bisht ndër shalë. Përgjigjja e popullit të Kosovës, e Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës dhe e botës demokratike dihet. Kosova mbeti e lirë. Millosheviqi përfundoi si kriminel lufte dhe sot han dhe. Të njëjtin fat do ta kishe edhe ti, dhe do ta kesh sa herë që tenton”, shkruan Hoti.
Më 16 maj të vitit 1999 në rrethana ende të pandriçuara është zhdukur Ukshin Hoti.
Veprimtari i mirënjohur i Lëvizjes Kombëtare, profesori Ukshin Hoti u lind më 17 qershor të vitit 1943 në fshatin Krushë të Madhe të Rahovecit. Ishte profesor, shkrimtar, filozof, intelektual, atdhetar dhe veprimtar i shquar i çështjes kombëtare gjatë viteve 1981-1999.
Prej asaj kohe e deri tani, veprimtari i madh i çështjes kombëtare shqiptare, magjistri, filozofi, shkrimtari, publicisti, atdhetari i përkushtuar, Ukshin Hoti edhe sot e kësaj dite konsiderohet i zhdukur


