Mjeku shqiptar në Zvicër, Florim Cuculi ka bërë të ditur se në spitale të ndryshmë në këtë shtet deri në 80 për qind e pacientëve të infektuar me COVID-19 janë shqiptarë.
Cuculi përmes një shkrimi në rrjetin e tij social Facebook ka thënë se shqiptarët janë motori i valës së katërt të COVID’it në Zvicër.
E për këtë ai ka thënë se i vjen turp.
Cuculi ka shkruar se duhet të shikojmë përpara dhe të përgatitemi për vjeshtën, derisa u ka kërkuar qytetarëve që të vaksinohen kundër koronavirusit, sepse sipas tij, vaksinimi masiv është zgjidhja e vetme për Zvicrën e Ballkanin.
Thirrjet e Cuculit për vaksinim kanë qenë sot edhe pjesë e gazetës prestigjioze zvicerane Blick.
Cuculi përmes kësaj gazete iu është drejtuar edhe bashkatdhetarëve shqiptarë duke kërkuar që të vaksinohen.
Shkrimi i tij i plotë:
Të nderuar. Shume faleminderit të gjithëve për reagimet e shumta rreth artikullit në gazetën “Blick” dhe rreth apeleve që i kam bëre në rrjetet sociale për vaksinimin e popullatës kunder Covid-19. Më kanë ardhur edhe reagime të ashpra dhe ofenduese por këtë gjë e kam pritur dhe nuk më brengos aspak.
Është fakt që në spitale të ndryshme në Zvicër deri 80 % e pacientëve me Covid-19 janë shqiptarë. Shteti zviceran e bëri të veten dhe na e mundësoj vaksinimin e hershëm. Ne këtë nuk e bëmë dhe shkuam të festojmë dasmat në një verë të cmendur e cila do na koshtojë shumë jetë. Nuk është e tepruar të thuash që shqiptarët janë motori i valës së IV të Covidit në Zvicër. Nuk e shoh kontributin tonë në këtë shoqëri në këtë mënyrë. Në fakt më vjen turp.
Ndodhi cka ndodhi dhe tani duhet të shikojmë përpara dhe të pregaditemi për vjeshtën që e kemi para derës. Vaksinimi masiv është zgjidhja e vetme, këtu në Zvicër dhe poashtu në Ballkan. Nuk ka rrugë tjetër.
Covidi na i mbyti më të dashurit tonë, na i morri shpesh herë në moshë shumë të re. Ata që na ofendojnë neve që bëjmë këtë kampanjë janë ose shumë të paditur ose shumë të pashpirtë, ose te dyja. Sidoqofte, unë dhe koleget e kolegët e mi nuk do të ndalemi. Është detyra e jonë dhe amaneti i atyre që e humbën jetën duke luftuar këtë virus.
Ju lutem vaksinohuni!