Luka Modric i ka dhënë lamtumirën tifozëve të Real Madridit në stadiumin “Santiago Bernabeu” për herë të fundit.
Mesfushori veteran ka konfirmuar se do të largohet nga klubi pas Kupës së Botës për Klube të FIFA-s këtë verë, duke i dhënë fund një qëndrimi 13-vjeçar në kryeqytetin spanjoll.
Pavarësisht se dukej se do të nënshkruante një zgjatje tjetër njëvjeçare me Los Blancos, është marrë vendimi që ai të largohet, dhe turneu në SHBA do të jetë i fundit për të me fanellën madrilene.
Thashethemet për hapin e radhës të Modricit vazhdojnë të qarkullojnë, por mesfushori kroat nuk planifikon të pensionohet para Kupës së Botës 2026.
Emocionet ishin të mëdha kur Modric u përqafua nga ish-partneri i tij në mesfushë, Toni Kroos, pasi u zëvendësua në minutat e fundit të fitores 2-0 të Real Madridit ndaj Real Sociedadit, në ndeshjen e fundit të sezonit.
Në një intervistë pas ndeshjes, Modric u pyet se cila ishte ndeshja e tij më e mirë në “Santiago Bernabeu”.
Megjithëse ka qenë në qendër të shumë netëve historike në Madrid, Modric e kishte të qartë zgjedhjen e tij: ndeshja e kthimit në 1/8 e finales së Ligës së Kampionëve 2021/22 kundër Paris Saint-Germain.
Skuadra e Ancelottit e kishte humbur 1-0 ndeshjen e parë, pas një goli të vonë nga Kylian Mbappe, por u rikthyen në Madrid.
Hat-triku i Karim Benzemas e përmbysi ndeshjen – dhe pavarësisht se Ancelotti përmendi asistin e jashtëzakonshëm të Modricit në rikthimin kundër Manchester Cityt në gjysmëfinale – për 39-vjeçarin, ndeshja me PSG është më e veçanta.
“Kujtimi im i preferuar në Bernabeu? Duhet të them ndeshja kundër PSG-së [në 2022]. Para saj thashë: nëse fitojmë sonte… e fitojmë Ligën e Kampionëve – dhe kështu ndodhi,” citohet të ketë thënë ai për Marca.