No menu items!

Nënshkruhet vendimi, fertilizimi in-vitro së shpejti në institucionet publike shëndetësore

Ministri i Shëndetësisë, Arben Vitia, ka bërë të ditur se fertilizimi in-vitro do të ofrohet së shpejti falas në institucionet publike të Kosovës.

“Sapo e kam nënshkruar përditësimin më të ri të Listës së Produkteve Mjekësore, në të cilën janë futur produktet e nevojshme për procedurën e fertilizimit in-vitro sipas protokolleve referente,” ka deklaruar Vitia përmes një postimi në rrjetet sociale.

Sipas tij, deri tani qytetarët kanë shpenzuar mes 1000 dhe 1500 euro për këto produkte në sektorin privat, ndërsa me këtë vendim, ato do të sigurohen falas nga shteti.

“Këto produkte së shpejti do të sigurohen falas për qytetarët nga ana e shtetit,” shtoi ai.

Ministri falënderoi klinikën e Gjinekologjisë, Shërbimin Spitalor dhe Klinik Universitar të Kosovës, si dhe barnatoren qendrore të Qendrës Klinike Universitare për përfshirjen e këtyre produkteve në listë, duke e cilësuar këtë hap si një parakusht të rëndësishëm për ofrimin e shërbimit të fertilizimit in-vitro në institucionet publike.

“Së shpejti kjo procedurë do të mund të realizohet në institucionet publike shëndetësore,” përfundoi Vitia. /Telegrafi/

Të fundit

LEXONI GJITHASHTU