No menu items!

Nepotizmi në QKUK: Dyshime për punësime familjare në konkursin për 14 recepsionistë

Lufta kundër nepotizmit në vazhdimësi ka qenë premtim i secilës parti në pushtet, por është harruar në momentin që zyrtarët e subjekteve politike janë ulur në karriget e institucioneve shtetërore. Në mesin e institucioneve që kritikohen për punësime mbi baza partiake apo familjare është edhe Shërbimi Spitalor Klinik Universitar i Kosovës, raporton Gazeta Sinjali.

Në disa konkurse të shpallura muajt e fundit janë ngritur dyshime për manipulime, por edhe punësime të familjarëve.

Siç merr vesh ekskluzivisht Sinjali, një dukuri e tillë është vërejtur edhe në konkursin për recepsionistë, ku janë shpallur 14 pozita dhe tashmë është nxjerrë vendimi për kandidatët e pranuar.

Në mesin e tyre, ka familjarë e të afërm të shefave dhe të zyrtarëve të Administratës Qendrore të QKUK-së, të cilët janë kontaktuar nga Sinjali.

Vetëm një kandidat ka arritur t’i marrë 99 pikë në total, dy prej tyre janë vlerësuar me nga 96 pikë, katër me rreth 91 pikë, dy të tjerë me nga 94 e 95 pikë e kështu me radhë.

Të njëjtat burime kanë bërë me dije se shumica e kandidatëve të pranuar janë familjarë të personave me pozita brenda këtij institucioni.

Nga SHSKUK nuk kanë kthyer përgjigje në kërkesën e Sinjalit për të siguruar listën e plotë me emrat e 14 kandidatëve të pranuar.

Megjithatë, redaksia posedon informacionet e plota për secilin prej kandidatëve dhe do t’i publikojë në vazhdim.

Të fundit

LEXONI GJITHASHTU