Përzgjedhësi i Kombëtares së Kosovës, Franco Foda, ka bërë një përmbledhje të detajuar të vitit të tij të parë në krye të Dardanëve, duke dhënë opinionin e tij mbi progresin e skuadrës, afrimin e lojtarëve të rinj dhe pritshmëritë për sfidat e ardhshme.
Në një intervistë për faqen zyrtare të FFK-së, Foda shpreh kënaqësinë për arritjet e ekipit gjatë vitit 2024 dhe optimizmin për ndeshjen kundër Islandës në mars 2025, që mund të ngrejë Kosovën në Ligën B të UEFA Nations League.
Po ashtu, Foda ka ndarë përshtypjet e tij edhe mbi kampin stërvitor të organizuar për talentet premtuese të së ardhmes dhe rëndësinë e mbështetjes së tyre për zhvillimin e ekipit kombëtar.
Trajner, ky ka qenë viti juaj i parë duke drejtuar Kosovën. Si mund ta përshkruni këtë vit nga perspektiva juaj?
FODA: Në përgjithësi, mund të jemi shumë të kënaqur me vitin 2024. Ekipi është zhvilluar jashtëzakonisht mirë gjatë dhjetë muajve të fundit. Tani kemi një dinamikë të shkëlqyer, konkurrencë të fortë brenda grupit dhe mbi të gjitha, një frymë të madhe ekipi. Tani, thjesht duhet të vazhdojmë këtë progres në vitin 2025. Jam shumë i sigurt se në ndeshjet e ardhshme kundër Islandës, do të performojmë mirë edhe atje.
Gjatë 2024-s ekipit Kombëtar të Kosovës i janë bashkuar shumë futbollistë. Sa kanë arritur të inkorporohen në ekip këta lojtarë dhe si e vlerësoni afrimin e tyre?
FODA: Çdo trajner është i lumtur kur ka lojtarë të rinj që sjellin energji të freskët në ekip. Siç e përmenda më parë, tani kemi konkurrencë të fortë brenda skuadrës, gjë që është shumë e dobishme për ekipin. Besoj fort se këta lojtarë i kanë dhënë ekipit një impuls të ri, siç u tregua qartë në ndeshjet e fundit.
Marsi do të na sjell ballafaqimin kundër Islandës, i vlefshëm për “play off”, ku mund të ngjitemi në Ligën B, si e vlerësoni kundërshtarin dhe ekipin tonë?
FODA: Megjithatë, mendoj se jemi pak të zhgënjyer që përfunduam vetëm të dytët në grupin tonë, veçanërisht pasi ndeshja e fundit në Rumani tregoi se ishte e mundur më shumë në këtë grup. Islanda ka një ekip shumë dinamik dhe atletik. Shumë prej lojtarëve të tyre luajnë në liga të forta jashtë vendit. Megjithatë, nëse mund të ndërtojmë mbi performancat e vitit 2024, veçanërisht nëse luajmë si në ndeshjen e fundit jashtë fushe në Rumani, atëherë kemi shanse shumë të mira të përballemi me Islandën dhe, mbi të gjitha, të ngjitemi në Ligën B.