Një person ka vdekur sot si pasojë e të shtënave me armë zjarri në lagjen ‘Arbëria’ në Prishtinë, ndërsa dy të tjerë janë lënduar nga një mjet i mprehtë.
Nga Klinika Emergjente në Qendrën Klinike Universitare e Kosovës (QKUK) është bërë e ditur se njëri nga të lënduarit është transferuar në Klinikën e Kirurgjisë Torakale
Drejtori i Klinikës Emergjente në QKUK, Naser Syla ka deklaruar për KosovaPress se gjendja e të lënduarve ka qenë stabile gjatë qëndrimit në Klinikën Emergjente.
Ai ka shtuar se sipas të gjitha gjasave, njëri nga të lënduarit pritet të lëshohet nga aty.
Ndryshe në një zënkë që ka ndodhur sot orës 13:20 në lagjen “Arbëria” në Prishtinë, një person ka humbur jetën nga të shtënat me armë zjarri, kurse dy të tjerë kanë marrë lëndime trupore si pasojë e therjes me thikë.
Prokuroria Themelore në Prishtinë ka dal në vend të ngjarjes dhe është duke i kryer të gjitha veprimet e nevojshme hetimore për të ndriçuar rrethanat, lidhur me rastin tragjik që ndodhi sot në Prishtinë, ku një person mbeti i vrarë nga arma e zjarrit dhe dy të tjerë u plagosën nga therja me thikë.
Zëdhënësja e Prokurorisë Themelorë në Prishtinë, Laureta Ulaj në një prononcim për Telegrafin ka thënë se lidhur me rastin prokurorja kujdestare nga Departamenti i Krimeve të Rënda ka dalë në vendin e ngjarjes me njësitë e tjera relevante. /Telegrafi/