Xherdan Shaqiri është rikthyer protagonist te Kombëtarja e Zvicrës, duke shënuar një gol të jashtëzakonshëm në sfidën ndaj Skocisë.
Përkundër se nuk luajti ndeshjen e parë, Shaqiri ishte titullar në të dytën dhe tregoi klasin e tij, duke i siguruar një pikë zviceranëve që me shumë gjasë do t’i mjaftojë për të kaluar nga Grupi A.
Ylli gjilanas u bë lojtari i parë që shënon në gjashtë gara radhazi të mëdha, tre herë radhazi në Kupën e Botës dhe tre të tjera në Kampionate Evropiane nga viti 2014.
Ai pas ndeshjes është ndalur në ‘Mix Zone’ duke folur për mediat e pranishme, derisa ka thënë se ngjarjet e mëdha janë krijuar për të.
“Ishte një gabim i kundërshtarit që e shfrytëzova maksimalisht. Mendova se thjesht duhet ta gjuaja në këndë. Ishte një goditje perfekte”.
“Është një gol shumë i bukur dhe i rëndësishëm. Ne donim të fitonim. Ngjarjet dhe ndeshjet e mëdha janë krijuar për mua”, tha Shaqiri.
32-vjeçari u pyet edhe për pritshmëritë që ka familja e tij ndaj tij, duke thënë se ata presin që në çdo turne të shënoj gola të tillë.


