Atmosfera e Botërorit ka pushtuar rrugët e New York City-t, ku mijëra tifozë të Brazilit kanë sjellë ngjyrat, muzikën dhe entuziazmin e tyre përpara ndeshjes së parë të Seleçaos në turne.
Nga baret dhe pubet e qytetit dëgjohen ritmet e sambës, ndërsa rrugët janë mbushur me fanella verdhejeshile dhe flamuj brazilianë. Festimet kanë krijuar një atmosferë të veçantë në metropolin amerikan, i cili po pret disa nga ndeshjet më të rëndësishme të Botërorit 2026.
Megjithatë, surpriza e ditëve të fundit nuk ka qenë futbolli, por basketbolli. Fanellat më të kërkuara në qytet nuk janë ato të Brazilit, por të New York Knicks.
Pak orë para ndeshjes së pestë të finaleve të NBA-së kundër San Antonio Spurs, fanellat zyrtare të Knicks janë pothuajse të shitura plotësisht. Në dyqanet e NBA-së kanë mbetur vetëm disa masa shumë të mëdha, ndërsa kërkesa për fanellat e ‘yjeve‘ si Jalen Brunson, Karl-Anthony Towns dhe Josh Hart ka qenë jashtëzakonisht e lartë.
Punonjësit e dyqaneve janë detyruar t’u komunikojnë klientëve se shumica e fanellave të lojtarëve kryesorë nuk janë më në dispozicion, pas fluksit të madh të blerësve gjatë ditëve të fundit.
Ndërkohë, shumë popullore janë bërë edhe fanellat speciale të Botërorit kushtuar Nju Jorkut, një edicion i limituar i mbështetur nga kryebashkiaku Zohran Mamdani. Këto fanella prodhohen nga një kompani lokale dhe ofrohen në tri kombinime ngjyrash: bardhezi, verdhezi dhe kuqezi e blu.
Kështu, ndërsa Brazili përgatitet të nisë rrugëtimin drejt trofeut të gjashtë botëror, Nju Jorku po jeton një festë të dyfishtë sportive mes magjisë së futbollit dhe etheve të finaleve të NBA-së.


