Në mbrëmjen e 11 shtatorit 2019, Shpendi Malo dyshohet se e ka joshur viktimën përmes telefonit celular drejt Dölauer Heide, një pyll në qytetin Halle (Saale). Aty thuhet se ai e ka therur të riun, i cili ndërroi jetë në vendin e ngjarjes. Për të mbuluar gjurmët e krimit, trupi i tij u hodh në një hendek dhe u mbulua me gjethe. Kufoma u gjet katër ditë më vonë nga kalimtarë të rastit, shkruan Gazeta Sinjali.
Trupi i 27-vjeçarit shqiptar, Ismail P., kishte plagë të shumta me thikë dhe plagë nga armë zjarri.
Policia, në kuadër të hetimeve, ka arritur të rindërtojë orët e fundit të viktimës. Sipas tyre, Ismail P. kishte mbërritur në Halle me tren më 11 shtator 2019 dhe kishte marrë një taksi nga sheshi i tregut drejt Dölauer Heide. Pas kësaj, ai besohet se është takuar me vrasësin e tij. Valixhja që Ismaili kishte me vete gjatë udhëtimit nuk është gjetur.
Departamenti i Hetimeve Penale ka kërkuar ndihmën e publikut në emisionin e njohur të ZDF-së “Aktenzeichen XY … ungelöst”.
Shpendi Malo është identifikuar si i dyshuari kryesor, por ende nuk është kapur. Përmes programit të ZDF-së, Europoli dhe Zyra Federale e Policisë Kriminale po kërkojnë informacione për vendndodhjen e tij.
Aktualisht, autoritetet nuk kanë konfirmuar nëse ka pasur bashkëpunëtorë, por ekzistojnë disa tregues që e sugjerojnë këtë. Motivi i saktë i krimit mbetet i paqartë, megjithatë dyshohet për një mosmarrëveshje në skenën e drogës.
Shpendi Malo, 34 vjeç dhe shtetas shqiptar, në kohën e krimit kishte flokë të errët, të drejtë dhe trup të hollë. Tipari dallues tek ai janë disa nishane në fytyrë, ku më i madhi ndodhet poshtë syrit të djathtë.